
Rama: Sado i madh të jesh, shteti është më i madh dhe nuk e gëzon dot ndërtimin pa leje
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndërtuesit pa leje se nuk do të ketë më tolerime, duke theksuar se tashmë Shqipëria do të mbulohet në çdo cep me kamera inteligjente sigurie për të evidentuar shkeljet në kohë reale.
“Mesazhi është i qartë: sado i madh të jetë emri yt në botën e ndërtimit, shteti është më i madh se ti dhe nuk do ta gëzosh dot ndërtimin pa leje,” tha Rama. Ai solli si shembull kontrastin mes një 90-vjeçari që përfundoi në gjykatë për një riparim të vogël në Dajt dhe ndërtimeve 4-5 kate pa leje në mes të Tiranës, të cilat tashmë do të konfiskohen nga shteti.
Rama bëri me dije se është finalizuar një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila do të mundësojë krijimin e qyteteve inteligjente me mbulim të plotë kamerash – nga rrugët, tek shkollat, e deri brenda klasave.
Kryeministri theksoi se kjo është pjesë e një transformimi teknologjik dhe “revolucioni digjital”, që nën drejtimin e ministres së re të Brendshme, Albana Koçiu, do të sjellë përdorimin e inteligjencës artificiale për të rritur parametrat e sigurisë./L.F-dritare.net

















