Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Roland Bejko: Nuk mjafton Facebook-u për të drejtuar PD-në

Roland Bejko: Nuk mjafton Facebook-u për të drejtuar PD-në

I ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV, Roland Bejko ka folur mbi zhvillimet në Partinë Demokratike, figurat brenda saj dhe mënyrën se si duhet të funksionojë një parti politike moderne.

Gjatë intervistës, Bejko u ndal edhe te figura e Evi Kokalarit, të cilën e vlerësoi për qëndrueshmëri në qëndrimet e saj, por theksoi se politika nuk mund të bëhet vetëm nga distanca apo rrjetet sociale. Bejko thotë se Kokalari duhet të jetë fizikisht pjesë e Partisë Demokratike dhe të ndërtojë rrjetin e saj brenda strukturave të partisë.

Duke folur për Sali Berishën dhe zhvillimet në PD, Bejko u shpreh kritik ndaj lidershipit karizmatik, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për një politikë më të balancuar dhe më institucionale.

“Partia politike në radhë të parë është network. Do të ndërtosh rrjetin tënd të mbështetësve. Nuk është sa bukur flet. Nëse do të ishte kështu, do të kishim 100 liderë të tjerë,” u shpreh Bejko.

Ai shtoi se në PD ka ende figura që mund të luajnë rol në të ardhmen, por sipas tij, sfida kryesore mbetet organizimi dhe ndërtimi i strukturave reale politike në terren.

Intervista u karakterizua edhe nga diskutime të gjata mbi historinë politike të së djathtës në Shqipëri dhe reflektime mbi mënyrën se si duhet të evoluojë lidershipi në vend.K.C/dritare.net