Rama: Do të mbajmë një qëndrim të drejtë dhe të denjë ndaj kërkesës së SPAK
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit për autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres, duke theksuar se kjo kërkesë vjen menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi pezullimin e saj nga detyra.
Në deklaratën e tij, Rama u shpreh se arrestet pa gjyq, qoftë me burg apo arrest shtëpie, janë kthyer në një praktikë problematike në Shqipëri, duke shtuar se vendi ka një numër më të madh të paraburgosurish sesa të dënuarish. Sipas tij, kjo situatë është larg standardeve demokratike evropiane dhe ka qenë objekt shqetësimi edhe për Këshillin e Europës.
Megjithatë, kryeministri theksoi se qeveria nuk do të paragjykojë kërkesën e prokurorit të posaçëm.
Rama deklaroi se mazhoranca do të angazhohet me përgjegjësi të plotë përpara qytetarëve që i kanë besuar 83 mandate dhe do të përgatitet për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë dhe të denjë, në përputhje me rolin e saj si forcë udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.
"Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren - me burg ose në shtëpi. Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur - një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane - gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.
Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi./L.F-dritare.net
