Na ndiqni edhe në

Politikë

SPAK merr të pandehur 3 zyrtarë për koncesionin e Aeroportit të Vlorës

SPAK merr të pandehur 3 zyrtarë për koncesionin e Aeroportit

SPAK ka marrë të pandehur tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të dyshuar për shkelje të barazisë në tendera lidhur me koncesionin e Aeroportit të Vlorës.

Hetimi lidhet me procedurat e ndjekura nga viti 2019 deri në mars 2021, ku dyshohet se zyrtarët kanë favorizuar konsorciumin fitues të përbërë nga kompania Mabco Construction, firma turke YDA Group dhe 2A Group, për një kontratë 35-vjeçare me vlerë rreth 104.3 milionë euro.

Procedimi penal është përshpejtuar pasi vepra parashkruhet brenda 5 viteve. Emrat e zyrtarëve ende nuk janë bërë publikë, ndërsa hetimet po vazhdojnë edhe për persona të tjerë të nivelit të lartë.

Kontrata u nënshkrua në prill 2021 nga ish-ministrja Belinda Balluku. Më pas, kompania turke YDA u tërhoq nga projekti, duke shitur aksionet te biznesmeni Behgjet Pacolli, çka solli konflikte mes aksionerëve të mbetur.

Aktualisht, përveç hetimeve të SPAK, ekziston edhe një përplasje gjyqësore mes kompanive dhe një hetim tjetër në Prokurorinë e Tiranës lidhur me një kredi të marrë në emër të aeroportit.