Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rezoluta e PE, Rama: Amendamenti i miratuar s’ka lidhje me Zvërnecin!

Rezoluta e PE, Rama: Amendamenti i miratuar s’ka lidhje me Zvërnecin!

Kryemininistri Rama e quan të pavërtetë se rezoluta e djeshme e Parlamentit Evropian mund të konsiderohet si fitorja e parë e protestës së qytetarëve për Zvërnecin.

Në një postim, kreu i qeverisë shkruan se amendamenti që mund të konsiderohej fitore u rrëzua ndërsa ai i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro - Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë.

Për këtë thotë Rama qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët.

Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, Rama shkruan se europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin.

Reagimi i Edi Ramës:

"Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë!

Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta, pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë, është prioritet i padiskuteshëm

Sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro - Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë - Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale

Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standartet e BE-së

Thënë sa më lart, rishikimi i konceptit “fitore” do të ndihmonte sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash, që pas përshirjesh me epsh në nxitjen e histerisë digjitale, të gatiteshin për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i revolucionit imagjinar", shkruan Rama./dritare.net