Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Kush ia ka vënë syrin, Porto Palermos!

Kush ia ka vënë syrin, Porto Palermos!

Nga Bashkim Salillari, inxhinier

Kam dëgjuar para 13 vjetësh, por edhe para pak kohe gazetarin Blendi Fevziu që thotë broçkulla për një nga objektet më të mëdha e më të vështira të inxhinierisë detare për bazën e nëndetëseve në gjirin e Porto Palermos. Si një nga inxhinierët që punuan shumë vite në ndërtimin e saj kam bindjen që një gënjeshtër e përsëritur ka të njëjtin objektiv si 13 vite më parë.

Po të ishte thjeshtë nga padija do i thoja miqësisht "kur s’u bën thëllëza, mos ia nxirrni korbit sytë"... por nuk është nga padija është nga dashakeqësia ose pangopësia.

Në këto pak rreshta mbase ndriçohet ndopak edhe Fevziu, dhe të jenë këto pak fjalë mirënjohje për tërë ata njerëz që punuan me përkushtim si ushtarë, oficerë, inxhinierë, e teknikë të zbatimit e të projektimit, punëtorë e specialist nga Himara e nga rrethet, oficerë e marinarë të flotës për ta vënë në eficencë mbas mbarimit të saj.

Ne nuk ishim njerëz që bënim politikën e vendit, por ishim një brez që secili në pozicionin e tij, vazhdues të brezit që ndërtoi Shqipërinë, vumë gurin tonë që Shqipëria të bëhej më e mbrojtur e më e fortë.

Për ta bërë më të urryer për të paditurit dhe më të lehtë për ata që presin të shqyejnë ndonjë kockë, Fevziu tha:

“Në këtë objekt kanë vdekur mbi 100 vetë gjatë ndërtimit të saj dhe se është dështim inxhinierik se porta ka ngelur e mbyllur. Pas ca ditësh e shtoi dozën dhe tha: Dështim botëror inxhinierik.

Turp, këto nuk mund t’i thotë një gazetar pa përvojë, por Fevziu nuk është i tillë ka goxha përvojë. Kurioziteti jonë është vetëm kujt po i shërben atyre te 13 viteve më parë apo janë të tjerë.

U ndritët shpirti atyre dy djemve ushtare dhe një specialist civil te makinerisë që hap tunele, te cilet aksidentalisht humbën jetën në këtë objekt për 16 vite punë me tre turne pa e ndërprerë asnjë ditë. Na ka dhembur shpirti e kemi derdhur lot për ata djem ndërsa për ty Fevzi janë thjesht numra që i dhjetëfishon si do zotrote (si shumë ke gënjyer nga 3 vetë në mbi 100 vetë).

The që porta veriore ka ngelur e mbyllur nga aluvionet?! - Turp kush e dëgjon. Kjo do ishte gjëja më e kollajtë për ta zgjidhur. Ato që ke parë ti si inxhinier shëtitës janë koluvione-proluvione, material i copëzuar nga agjentët atmosferikë në shpatin e malit të rëna në kanalin pas portës që e lidh me detin, të cilat i nënshtrohen përpunimit të mëtejshëm të veprimit detar.

Në një objekt të braktisur mbas 97 për 27 vjet pa mirëmbajtje këto janë normale, por shkaku është tjetër.

Porta Fevzi, prej qindra ton nën ujë e mbi ujë për të përballuar bombë atomike mbi 10 kilo ton është manovruar lehtësisht gjatë ndërtimit e shfrytëzimit (preferohej më shumë mbyllur për të pasur basen të qetë brenda nga dallgët, por hapej e mbyllej sipas kërkesave teknike e sa herë e lypte nevoja, mundësisht 1 herë në 24 orë dhe jo një herë në 30 vjet).

I ndjeri Reshat Avdija inxhinier mekanik mbaruar me medalje ari në Bashkimin Sovjetik do lemerisej me dijet brilante të Fevzos dhe do flakte diplomë e medalje.

Homazh e mirënjohje për inxhinierët që nuk jetojnë më si Reshat Avdija e Razip Shyti që punuan me përkushtim shumë vite në këtë objekt.

Respekt për gjithkënd që vuri një gur në ndërtimin e këtij objekti kryevepër inxhinierike.

Ne këtë objekt e ndërtuam kur akoma nuk ishte ndërtuar La Manshi kryevepër e inxhinierisë botërore nën det, por objektin që ndërtuam ne do ta kishte zili çdo vend i Mesdheut.

Hordhitë barbare pas vitit 1997 e vodhën, e shkatërruan, plaçkitën makineri, pajisje, instalime të të gjitha llojeve të funksionimit të veprës dhe portën e Veriut e lanë të mbyllur pasi i shkatërruan sistemet e komandimit dhe portën e Jugut (që është ndryshe nga porta e Veriut për disa arsye tenike) u la e hapur) për të nxjerrë prenë e vjedhur o Fevzo.

Se si ishin hordhitë barbare i pashë në Durrës kur i vunë flakën Dragës, një nga makineritë detare të rralla e cila thelloi basenin në hyrje të objektit provuar për herë të parë në shkëmb pasi e shpërthenim me sonda.

I ndjeri Zija Biduli që e donte atë Dragë më shumë se shtëpinë e tij kushedi sa vite jetë iu shkurtuan. I ndritë shpirti këtij kapedani të madh të mjeteve detare të Portit të Durrësit.

Gazetar Fevzi kjo është shkurt historia.

Të më ndjejnë të gjallët që punuan me vetëmohim me vite në ndërtimin e këtij objekti e që sakrifikuan aq shumë që nuk do t’i përmend. Përmenda vetëm ata që nuk janë në këtë jetë se të gjallët, po folën do të vijë turp të vërdallisesh nëpër Shqipëri aq shumë janë ata që kanë punuar e drejtuar në këtë objekt kryevepër e inxhinierisë detare. Këtij shteti të ndërtuar keq pas vitit 90, në vitin 97 ju grisën poturet, doli cullak dhe shkatërruan dhe ato objekte që kishin shpëtuar.

Ky objekt i bën nder këtij vendi qe ndërtonte vepra drite si Fierzën dhe vepra mbrojtëse si baza e nëndetëseve në Porto Palermo. Si një nga shumë ndërtues të saj do doja që kjo vepër të rivitalizohej dhe aq sa mundej t’i shërbejë në kohë të mira e ditë të vështira këtij vendi si bazë detare dhe si qendër stërvitje e trupave tanë të flotës detare dhe trupave të NATO-s (nuk i humbet kurrë vlera këtij objekti), por çdo vendim brenda ligjeve të shtetit shqiptar. Zona mund të kufizohet, por jo të nxirret nga plani i mbrojtjes se dhelprat vijnë vërdallë e duan ta rrëmbejnë djathin nga dora apo s’i kemi fqinjë.

Tërë zallamahia në Himarë ishte dhelpra dhe rrushtë. U habitët kur Beleri tha do vëmë në vend padrejtësinë e bërë në tokat stërgjyshore para 60 vjetësh. Para 60 vjetësh filloi baza e Porto Palermos. Beleri ishte guri i shahut, objektivi ishte stereja, Porto Palermo! Një pikë ku ata do ankorohen për të realizuar ëndrrat e tyre. Oreks të madh paskan pasur!/dritare.net