Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Intervista e parë e nobelistit Laszlo Krasznahorkai!

Intervista e parë e nobelistit Laszlo Krasznahorkai!

Tradita e Akademisë Suedeze, menjëherë pas shpalljes së fituesit të Çmimit Nobel në Letërsi, përfshin një moment të veçantë, një telefonatë surprizë.

Në çastin e shpalljes, sekretari i përhershëm i Akademisë njofton shkrimtarin për lajmin që do t’i ndryshojë jetën përgjithmonë. Pak minuta më vonë, një përfaqësues i Nobel Prize zhvillon bisedën e parë zyrtare, intervistën telefonike të reagimit të parë, një ritual i trashëguar që prej viteve ’60, ku fituesit ndajnë emocionin e tyre të menjëhershëm me publikun botëror.

Në vijim, po sjellim të plotë intervistën telefonike të parë të dhënë menjëherë pas shpalljes, të realizuar nga Jenny Rydén për Nobel Prize Outreach.

Në këtë bisedë të përzemërt e të papërgatitur, shkrimtari flet për befasinë e fitimit, trishtimin si burim frymëzimi dhe rolin shpëtimtar të imagjinatës në një botë që ai e përshkruan si “tepër të errët”.

Jenny Rydén: Përshëndetje!

László Krasznahorkai: Po, përshëndetje.

JR: Po flas me zotin László Krasznahorkai?

LK: Po, unë jam.

JR: Së pari, më lejoni t’ju uroj për Çmimin Nobel në Letërsi!

LK: Ju faleminderit shumë, faleminderit nga zemra.

JR: Si ndiheni në këtë moment?

LK: Është… më shumë se një katastrofë. Më kujtohet reagimi i Samuel Beckett-it kur mori vesh se kishte fituar Nobel-in. E njihni ndoshta? Pyetjes së parë që i bënë, ai iu përgjigj me dy fjalë: “Ç’katastrofë!” . Kjo ishte fjalia e tij e parë. Edhe unë e ndjej disi kështu, është një “katastrofë” e bukur: një lumturi e madhe, një krenari e thellë. Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar që gjendem në një radhë ku kanë qenë kaq shumë shkrimtarë e poetë të mëdhenj. Mbi të gjitha, më jep forcë që e arrita këtë duke shkruar në gjuhën time amtare, hungarishten ,një gjuhë e vogël, por me shpirt të madh. Dua të falënderoj lexuesit. Dhe dua t’u them të gjithëve: riktheni fuqinë e imagjinatës! Pa imagjinatë, jeta bëhet krejt ndryshe. Lexoni libra, shijojeni leximin, sepse të lexuarit na pasuron, na jep forcë për të përballuar këtë kohë kaq të vështirë mbi Tokë.

JR: Mund të na përshkruani ku ndodheni tani dhe si ishte momenti kur e mësuat lajmin?

LK: Jam në Frankfurt, në banesën e një miku që është i sëmurë , erdha ta vizitoj. Kur më morën në telefon, nuk mund ta besoja. U shtanga. Është një ndjenjë e pabesueshme.

JR: Nuk e prisnit fare?

LK: Aspak. Ishte një surprizë e plotë. Nuk kam pasur asnjë pritshmëri për këtë.

JR: Çfarë ju frymëzon më shumë në shkrimin tuaj?

LK: Pikëllimi. Jam thellësisht i trishtuar kur mendoj për gjendjen e botës sot. Pikërisht ky trishtim është burimi më i thellë i frymëzimit tim. Dhe besoj se duhet të mbetet frymëzim edhe për brezat e ardhshëm, për ta ndihmuar njerëzimin të mbijetojë në këtë epokë të errët. Këto janë kohë të zymta; kemi nevojë për shumë më tepër forcë të brendshme për të jetuar sesa më parë

JR: Sa lidhje ka procesi i shkrimit me mbijetesën tuaj shpirtërore në këto kohë të errëta?

LK: Shkrimi është diçka thellësisht personale për mua. Nuk më pëlqen të flas për atë që po shkruaj, as me miqtë e mi shkrimtarë. Punoj në një libër, e dorëzoj te botuesi dhe më duhet pak kohë që të çlirohem prej tij. Pastaj, një ditë, ndjej se mund të filloj diçka të re dhe përpiqem gjithmonë të shkruaj më mirë se herën e fundit.

JR: E dimë që jetoni në më shumë se një vend. Kë quani shtëpi?

LK: Po, është e vërtetë. Jetoj në Hungari, afër Budapestit, në një kodër. Kam edhe një shtëpi në Trieste, ndonjëherë jetoj në Vjenë… si të isha ende në atë monarki të vjetër austro-hungareze.

JR: Si planifikoni ta festoni çmimin?

LK: (qesh) Sot do të shkoj në zyrën e regjistrimeve, në gjermanisht quhet Anmeldeamt. Kam ndryshuar vendbanimin tim të dytë, ndaj duhet të deklaroj adresën e re postare.

JR: Kështu që do ta kaloni ditën duke u marrë me dokumente zyrtare?

LK: Po, sepse nuk e prisja këtë lajm të mrekullueshëm, nuk kam pasur kohë të ndryshoj planet. Ndoshta në mbrëmje do të bëjmë një darkë të vogël me miqtë në Frankfurt, me verë port dhe pak shampanjë.

JR: Kjo tingëllon shumë bukur. Faleminderit që ndatë këtë moment me ne.

LK: Faleminderit juve. Jeni shumë e sjellshme.

JR: Dhe edhe një herë, përgëzime për Çmimin Nobel.

LK: Faleminderit nga zemra.

JR: Mirupafshim!

LK: Mirupafshim, dhe faleminderit sërish./Marrë nga The Nobel Prize përshtatur nga dritare.net