Alarm: Tregu i zi i kujdestarëve të të moshuarve në Shqipëri!
Dritare.net

Në emisionin “Shqip” me Rudina Xhungën, mjekja geriatre Erifili Tili ngriti një prej alarmeve më shqetësuese për realitetin shqiptar, ekzistencën e një tregu të zi të kujdestarëve të të moshuarve, ku persona pa asnjë formim profesional, pa përgjegjësi ligjore dhe shpesh pa minimumin e njohurive mjekësore, kujdesen për njerëzit më të pambrojtur të shoqërisë.
Sipas Dr. Tilit, shumë familje shqiptare, të mbingarkuara nga mungesa e strukturave shtetërore, detyrohen të punësojnë njerëz të panjohur që prezantohen si “kujdestarë”, kur në fakt nuk kanë as trajnim bazë, as certifikim, dhe asnjë kontroll institucional.
“Kjo nuk është ndihmë. Ky është rrezik. Në Gjermani një gabim i kujdestarit të çon në gjykatë. Në Shqipëri askush nuk mban përgjegjësi”, u shpreh Dr. Tili.
Mjekja shtoi se ky fenomen po merr përmasa alarmante, sepse të moshuarit shpesh janë të sëmurë kronikë, me demencë, me kufizime motorike, dhe kanë nevojë për trajtim profesional, jo për asistencë improvizuar.
“Një injeksion i gabuar, një ilaç i dhënë keq, një ngritje e pasigurt dhe pasojat janë fatale. Por askush nuk e kontrollon këtë treg”, theksoi ajo.
Ky është një problem i heshtur, por i thellë, që po prek çdo qytet shqiptar. Ndërkohë që shteti nuk ka struktura geriatrike, nuk ka trajnime, nuk ka institucione të certifikuara, tregu i zi po zëvendëson atë.
Dritare TV ka folur hershëm për këtë temë, por pas këtij alarmi, do të merret me këtë temë në vijim, duke e hetuar, duke e dokumentuar dhe duke e çuar deri në institucionet përgjegjëse./ dritare.net


