
Juglindja e vendit është izoluar pasi është bllokuar plotësisht qarkullimi në aksin kombëtar Librazhd-Pogradec , një rrugë kryesore që lidh Korçën dhe Pogradecin me Elbasanin e Tiranën, si edhe me pikat kufitare Qafë-Thanë dhe Kapshticë.
Vendimi u mor nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për shkak të dëmtimit të rrugës nga gërryerja e lumit Shkumbin dhe zhvendosjes së trupit të saj, që rrezikon edhe urën në zonën “Arrat e Gurrës”. Fillimisht qarkullimi lejohej me një korsi, por përkeqësimi i situatës detyroi mbylljen pa afat.
Rruga alternative Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh–Elbasan është mbingarkuar me trafik kilometrik, ndërsa disa mjete të rënda kanë mbetur të bllokuara pavarësisht se devijimi ishte rekomanduar vetëm për automjete të vogla.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin këtë aks deri në stabilizimin e situatës, pasi rreziku për shembje dhe bllokime trafiku mbetet i lartë./L.F-dritare.net