Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Presidenti i KE-së: Anëtarësimi në BE varet nga ritmi i çdo shteti

Presidenti i KE-së: Anëtarësimi në BE varet nga ritmi i

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa ka theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet “investimi më i rëndësishëm gjeopolitik” për sigurinë, paqen, prosperitetin dhe sundimin e ligjit në kontinent. Gjatë një vizite në Firence ai foli për procesin e zgjerimit të BE-së dhe u shpreh se ai është i bazuar në meritë dhe se çdo vend ecën me ritmin e vet. Ai njoftoi gjithashtu se është miratuar krijimi i një grupi pune për hartimin e traktatit të pranimit të Montenegro në BE, duke lënë të hapur mundësinë që negociatat të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Sipas tij, nëse procesi vijon me këtë ritëm, Mali i Zi mund të bëhet shtet anëtar i BE-së në vitin 2028. Costa theksoi gjithashtu se është kundër “grupimit në çifte” të vendeve kandidate, duke argumentuar se çdo shtet duhet të vlerësohet individualisht. “Nuk më pëlqejnë objektivat artificialë. Zgjerimi është një proces që varet nga secili shtet veç e veç”, u shpreh ai.

Ndërkohë, për vendet e tjera kandidate, përfshirë Shqipërinë, ai tha se procesi po ecën më ngadalë, por objektivi i integrimit mbetet i hapur, me Shqipërinë që synon anëtarësimin në BE brenda vitit 2030.

“Zgjerimi i BE-së, është në fakt një proces i bazuar në meritë, që do të thotë se ritmi është i ndryshëm me secilin vend. Javën e kaluar miratuam krijimin e grupit të punës për të filluar hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi në BE. Duke parë vlerësimin nga Komisioni Evropian, është e mundur që të përfundojmë negociatat me Malin e Zi deri në fund të këtij viti, që do të thotë se në vitin 2028 nuk është e pamundur të kemi Malin e Zi si Shtet Anëtar. Me vendet e tjera kandidate, procesi nuk po ecën kaq shpejt, por duhet që të vijojmë me këtë ritëm. Nuk më pëlqen që të vendos objektiva artificialë. Unë them se zgjerimi është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik që mund të bëjmë për sigurinë, paqen, prosperitetin, sundimin e ligjit, demokracinë në shtetet fqinjë me ne. Duhet që ta arrijmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur por kjo varet, shtet pas shteti. Jam shumë kundër idesë për të çiftëzuar proceset. Mendoj se kjo nuk është një ide e mirë”, theksoi Costa./K.C/dritare.net