Edmond Spaho flet me emra: Këta të largohen urgjentisht nga PD!
Dritare.net

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka kërkuar ndryshime të thella në drejtimin e partisë, duke deklaruar se e gjithë struktura drejtuese duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet zgjedhore dhe të japë dorëheqjen.
I ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV, Spaho tha se nuk mjaftojnë ndryshime të pjesshme, por një riorganizim i plotë i lidershipit të PD-së.
“E gjithë ekipi drejtues i PD-së duhet të ndryshohet. Kryetar, nënkryetar, sekretarë të përgjithshëm, të gjithë ata që kanë përgjegjësi direkte për rezultatin zgjedhor duhet të japin dorëheqjen,” u shpreh ai.
Në deklaratën e tij, Spaho përmendi edhe disa nga figurat kryesore të partisë, duke iu referuar konkretisht Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës, si pjesë e drejtuesve që sipas tij duhet të mbajnë përgjegjësi politike për rezultatin.
Ai theksoi se përgjegjësia nuk duhet parë si individuale, por si kolektive e gjithë strukturës drejtuese të partisë, duke shtuar se “të gjithë drejtuesit që kanë pasur rol në humbje duhet të largohen”.
Spaho rikujtoi gjithashtu debatet e brendshme në PD dhe vendimmarrjet e mëparshme politike, si djegia e mandateve dhe proceset organizative, të cilat sipas tij kanë ndikuar në dobësimin e partisë dhe humbjen e besimit të qytetarëve.
Sipas tij, opozita duhet të rifitojë besimin publik përmes një reformimi të plotë dhe një qasjeje të re politike./K.C/dritare.net