Udhëheqësit evropianë: Të hapet Ngushtica e Hormuzit pa kushte!
Dritare.net

Në një konferencë të përbashkët pas një takimi virtual me rreth 40 vende, udhëheqësit kryesorë evropianë kanë njoftuar mbështetje për një mision ndërkombëtar që synon të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, pas tensioneve të fundit në rajon.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se mbyllja e ngushticës ka pasur “pasoja shumë të rënda për të gjithë planetin dhe ekonominë globale”, duke kërkuar rihapje të menjëhershme dhe pa kushte të saj. Ai theksoi se çdo formë taksimi apo privatizimi i korridorit detar është e papranueshme dhe se lëvizja e lirë duhet të rikthehet si më parë.
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar do të udhëheqin një mision ndërkombëtar “krejtësisht paqësor dhe mbrojtës”, që synon sigurimin e rrugëve detare. Sipas tij, një konferencë planifikimi do të mbahet në Londër javën e ardhshme, ku pritet pjesëmarrja e rreth një duzine vendesh.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se SHBA-ja do të ishte një partner “i dëshirueshëm” në këtë mision dhe se Gjermania është e gatshme të kontribuojë, përfshirë edhe me forcat e saj ushtarake në operacione si pastrimi i minave. Ai theksoi se çdo veprim do të kërkojë miratimin e OKB-së dhe parlamentit gjerman.
Kryeministrja italiane Georgia Meloni e cilësoi hapjen e ngushticës si një parim themelor të së drejtës ndërkombëtare dhe tha se armëpushimet në rajon duhet të jenë pjesë e çdo procesi serioz paqeje. Ajo gjithashtu nënvizoi se Italia do të kontribuojë me një numër njësish detare në misionin e propozuar.
Udhëheqësit theksuan gjithashtu nevojën për një zgjidhje diplomatike afatgjatë mes SHBA-së dhe Iranit dhe përpjekje për stabilitet në Lindjen e Mesme, duke e quajtur situatën aktuale një “mundësi historike” për paqe./K.C/dritare.net