Na ndiqni edhe në

Gjëja e Gjallë na Mban Gjallë

Ferma austriake që prodhon energji nga mbetjet e pulave, modeli i bujqësisë së së ardhmes

AUSTRI – Si mund të kthehen mbetjet e fermës në energji dhe burim fitimi? Përgjigjen e jep një fermë moderne në Austri, e vizituar nga gazetarja Rudina Xhunga dhe stafi i Dritare TV, në kuadër të ciklit "Gjëja e Gjallë të Mban Gjallë".

Ferma, e cila mbarështon rreth 83 mijë pula për mish dhe kultivon 50 hektarë tokë bujqësore, ka ndërtuar një impiant biogazi që ka transformuar plotësisht mënyrën e funksionimit të saj. Ajo që dikur konsiderohej mbetje organike, sot është kthyer në energji elektrike, ngrohje dhe të ardhura të sigurta.

Investimi nisi në vitin 2005, kur pronarët u përballën me nevojën për të zëvendësuar sistemet e amortizuara të ngrohjes dhe për t'iu përshtatur standardeve të reja mjedisore të Bashkimit Evropian. Zgjidhja ishte ndërtimi i një impianti biogazi, ku plehu i pulave përzihet me misër dhe kultura të tjera të prodhuara në fermë. Kjo masë biologjike fermentohet dhe prodhon biogaz, i cili shndërrohet në energji elektrike.

Impianti ka një kapacitet prej rreth 130 kWh, ndërsa energjia e prodhuar shitet në rrjetin publik, duke siguruar një burim të qëndrueshëm të ardhurash për fermën.

Përfitimet nuk mbarojnë me prodhimin e energjisë. Nxehtësia që krijohet gjatë procesit riciklohet për ngrohjen e stallave, ku pulat kanë nevojë për temperatura të qëndrueshme rreth 36 gradë Celsius, si edhe për ngrohjen e banesës dhe ambienteve të tjera të fermës. Në këtë mënyrë, kostot e energjisë reduktohen ndjeshëm.

Falë këtij sistemi, fermerët kanë zgjidhur edhe problemin e magazinimit të plehut organik. Çdo mbetje futet në ciklin e prodhimit dhe shndërrohet në një burim të ri vlere, duke eliminuar ndotjen dhe duke krijuar një model të pastër të ekonomisë qarkulluese.

Edhe më mbresëlënës është fakti se një fermë e këtyre përmasave menaxhohet nga vetëm dy persona, një çift bashkëshortësh me ndihmën e prindërve të tyre. Automatizimi i plotë i proceseve ka bërë që prania e njerëzve në stalla të kufizohet në minimum, për të garantuar standarde të larta biosigurie dhe për të shmangur infeksionet.

Ky model i "bujqësisë së zgjuar" tregon se teknologjia, mbrojtja e mjedisit dhe fitimi ekonomik mund të ecin paralelisht. Ferma austriake është një shembull konkret se si investimi në inovacion mund të kthejë një problem mjedisor në një mundësi të qëndrueshme zhvillimi dhe fitimi./L.F-dritare.net