Na ndiqni edhe në

Bota

Princi Harry humb gjyqin ndaj Daily Mail

Princi Harry dhe gjashtë persona të tjerë kanë humbur çështjen gjyqësore për shkelje të privatësisë ndaj “Daily Mail” dhe “Mail on Sunday”.

Gjykatësi britanik Nicklin vendosi se paditësit nuk arritën të provonin pretendimet se gazetarët kishin përdorur metoda të paligjshme për të siguruar informacionet për artikujt e publikuar. Sipas tij, dyshimet, edhe kur janë të kuptueshme, nuk mjaftojnë pa prova konkrete.

Princi Harry dhe figurat e tjera të njohura pretendonin se grupi mediatik kishte mbledhur të dhëna private përmes mënyrave të paligjshme. Akuzat u mohuan fuqimisht nga Associated Newspapers, e cila e cilësoi vendimin si një “fitore të madhe për Daily Mail dhe gazetarët e saj”.

Në vendimin e tij prej 436 faqesh, gjykatësi shqyrtoi rastet individuale dhe pranoi shpjegimet e gazetarëve për mënyrën se si kishin siguruar informacionet, duke thënë se nuk u provua se ato ishin marrë në mënyrë të paligjshme.

Gjatë procesit gjyqësor, Harry deklaroi se publikimet kishin ndikuar rëndë në jetën e tij dhe të bashkëshortes së tij, Dukeshës Meghan Markle. Ai tha se artikujt e kishin kthyer jetën e saj “në një mjerim të plotë”.

Pjesë e padisë ishin edhe figura të njohura si aktorja Elizabeth Hurley, këngëtari Sir Elton John dhe bashkëshorti i tij David Furnish, aktorja Sadie Frost, ish-deputeti Sir Simon Hughes dhe Baronesha Doreen Lawrence.

Gjatë gjyqit, ata pretenduan se gazeta kishte përdorur informacione private për artikuj të ndryshëm, por gjykata vendosi se pretendimet nuk u mbështetën me prova të mjaftueshme./K.C/dritare.net