PS feston 35-vjetorin e themelimit, Rama: S'kemi kërkuar lirimin e Veliajt, sado i padrejtë të na duket arrestimi i tij
Dritare.net

Partia Socialiste dega Tiranë festoi sot 35-vjetorin e themelimit. Në një event në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet, qindra socialistë, një pjesë e të cilëve funksionarë dhe ish-zyrtarë të lartë, u mblodhën për të përkujtuar këtë ditë.
Në nisje të eventit, është pasqyruar një historik i shkurtër i kësaj force politike, që nga koha kur ajo drejtohej nga Fatos Nano, në periudhën kur kryeministri Edi Rama kandidonte për kryetar bashkie të Tiranës dhe deri në ditët e sotme, kur Shqipëria është një hap më pranë anëtarësimit në BE.
Përmes disa pamjeve të publikuara, është nxjerrë na pah kontrasti dhe ndryshimi rrënjësor që Tirana ka përjetuar gjatë këtyre viteve. Në Tiranën e para vitit 2001, nga pamjet vihet re një mugesë e theksuar e infrastrukturës, prezencë e kaosit dhe mungesë e hapësirave publike. Ndërkohë në Tiranën e pas vitit 2001, kur në krye të bashkisë erdhi Edi Rama, por edhe në Tiranën e sotme, ku në krye të bashkisë qëndron Erion Veliaj, vihet re një qytet modern, me hapësira publike dhe infrastrukturë bashkëkohore.
I pranishëm në eventin për 35 vjetorit të PS, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vlerëson maksimalisht punën e patronazhistëve të PS.
Duke veçuar Gramoz Ruçin si kryepatronazhistin e PS, Rama tha se ish-kryeparlamentari ka bërë për Partinë Socialiste më shumë se gjithë të tjerët, duke mbajtur kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët.
“Nuk dua t’ju mbaj gjatë. Jam këtu për t’ju thënë disa fjalë. Dua ta nis me frymëzimin që më dha dalja e Gramozit këtu, që më kujtoi një fjalë të legjendarit Fate Velaj, i cili kur u bë deputet i PS, pas disa kohësh tha ‘çfarë misteri është ky me këtë njeri 35 vite fytyrën e ngrysur’. ‘Ky duhet të jetë një profesion më vete’, tha ‘se ne u meruam duke qeshur tha, por nuk na ndjek njeri nga pas siç ndjekin këtë’. 35 vite Facebook jo, Instagram jo, Tik Tok jo e jo. Por që kur ka dalë telefoni celular, asnjë sms s’ka bërë akoma deri tani që flasim. I punon telefoni vetëm në marrje të sms-ve. Intervista në media ka dhënë 3 e gjysmë. Si shpjegohet kjo? Në fakt kjo e ka shpjegimin te telefoni. Sepse askush nga ne nuk ka në telefon të gjitha kontaktet që ka Gramozi, nga veriu në jug. Askush nga ne nuk e arrin dot atë që Gramozi ka bërë dhe vazhdon të bëjë edhe sot, që jo vetëm i përgjigjet çdo njeriu, jo me sms, sepse është kuadër i vjetër e thotë ‘mos lër gjurmë’, por me telefon. Ata shkruajnë ai përgjigjet. Por po të mbledhësh rrugët e Gramozit për vaki, për ngushëllime, për dasma e pagëzime, janë të panumërta. Pra ajo që Fate Velaj nuk e kuptonte dot sesi funksion Gramozi me fytyrën e tij të vrenjtur, është në fakt se Gramozi është kryepatronazhisti i PS. Unë çmoj punën e të gjithëve, por mbi të gjithë punën e patronazhistëve”, tha mes të tjerash Rama.
Më tej Rama tha se kontributi në PS nuk duhet të shërbejë për favorizimin e të afërmve e miqve. Kryeministri foli edhe për Reformën në Drejtësi në Shqipëri, e cila sipas tij nuk mund të realizohej pa kontributin e PS.
Duke përmendur rastin e Erion Veliajt, i cili ndodhet në qeli, Rama tha se PS nuk po punon për lirimin e tij, pavarësisht nëse arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës mund t’u duhet i padrejtë. Kjo sipas Ramës e dallon PS-në nga opozitë në Shqipëri.
"Më besoni që nuk ka qeveri që hyri në histori se ndërtoi rrugë, një qeveri hyn në histori përsa ka kapacitet të ndërtojë shtet. Sot ne jemi këtu në 35-vjetorin e PS-së së Tiranës, pikërisht sepse nuk jemi si ata të tjerët. Nuk jemi duke kërkuar lirimin e të burgosurit Erion Veliaj, sepse kjo nuk është çështja jonë. Sado e padrejtë të na duket ne, jemi këtu për t’i lënë fëmijëve tanë një Shqipëri tjetër”, tha Rama.
Në eventin e zhvilluar sot për 35-vjetorin e PS dega Tiranë, u vlerësuan me medalje ari disa personalitete të rëndësishme të kësaj force politike, për kontributin e tyre ndër vite në Partinë Socialiste. Mes të vlerësuarve me medalje ari ishin figura si ish-kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ish-presidenti, Rexhep Mejdani, kryetari i parë i grupit parlamentar të PS, Namik Dokle, ish-kryeministri Ylli Bufi, ish-kryetarë të PS në Tiranë, Musa Ulqini, Halil Lalaj dhe Besnik Baraj si dhe ish deputetë e themelues të PS, Valentina Leskaj, Anastas Agjeli, Hamdi Jupe, Maqo Lakrori, Luan Shaullari dhe Sajmira Pino.
Pas 'dekorimit' me medalje të artë të personaliteteve socialistë, festës së 35-vjetorit të PS iu bashkua edhe grupi muzikor 'West Side Family', të cilët performuan me një këngë të kënduar vite më parë bashkë me kryeministrin Edi Rama./shqiptarja