Rama: Një mesazh për të rinjtë pa busull!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj asaj që ai i cilësoi si thirrje nacionaliste dhe nxitje të urrejtjes nga grupe të caktuara.
Rama krahasoi sloganin “Shqipëria e shqiptarëve” me parulla të përdorura historikisht nga lëvizje ekstremiste në vende të tjera, duke përmendur Gjermaninë naziste dhe organizatën greke “Agimi i Artë”.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë u shpreh se retorika e tillë mund të nxisë përçarje dhe urrejtje, ndërsa kritikoi edhe kundërshtimin ndaj investimeve dhe zhvillimit të projekteve turistike.
Kryeministri tha se persona të caktuar po ndikojnë tek të rinjtë me mesazhe që, sipas tij, promovojnë përjashtimin dhe antagonizmin. Postimi i plotë:
"MYSAFIRËT E PAFTUAR TË NATËS NË SELINË E PARTISË SOCIALISTE
“Shqipëria e shqiptarëve” dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin kësisoj rrugëve, të kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve” me ata ulëritësat e verbër si këta mysafirët e natës tek selia e PS, që e kthyen Gjermaninë në thertoren e hebrenjve dhe e katandisën në delen e zezë të planetit
Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtjenxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurrur se do ta djegim Shqipërinë e tradhëtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhëtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët, të cilët sipas tyre po merrnin punët e paratë e popullit grek. Çuditërisht edhe ata ishin kundër investimeve e resorteve cilësore, me të vetmin ndryshim se këta “shqiptarët tanë të vërtetë” nuk kishin gisht në kuturisjen e atyre, kurse ata kanë gishtin e tyre në kuturisjen e këtyre
Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste", shkruan Rama në rrjetet sociale krahas videos.
View this post on Instagram