Investimet e huaja dhe “shitja” e Shqipërisë: kur retorika pengon zhvillimin
Dritare.net

Nga: GJON NDREJAJ
Në debatin publik shqiptar, një paradoks i rrezikshëm po përsëritet: nga njëra anë, kritikët e zëshëm ankohen për mungesën e investimeve të huaja, ndërsa nga ana tjetër, çdo marrëveshje e tillë etiketohet menjëherë si “shitje” e atdheut. “U shit Spaçi, Munella, u shit uji i Fanit, tani po shitet edhe Perlati, Sazani e Zvërneci” , këto janë zërat që qarkullojnë, duke krijuar një atmosferë dyshimi dhe mosbesimi.
Një miku im, nuk e di në se e kishte seriozisht apo e bënte për të më ngacmuar nuk u mjaftua me “shitjen” e Perlatit por avancoi edhe më tej sikur do shitesh edhe “Zalli i Ndrejaj”. Për ata që nuk e dinë Perlati, është fshati im i lindjes, ndërsa “Zalli i Ndrejaj” është lagjia ime. Fantazia e mikut tim shkonte edhe më tej duke shtuar se aty te “Livadhi i Turkut” ( kështu quhet një toponim që mbart një histori të veçantë) do të ndërtohej edhe një xhami, sepse tashmë e kanë në zotërim turqit dhe pretendojnë se është tokë e tyre. Një fantazi e shfrenuar por jo edhe pa zarar që nxit pa kurrëfarë arsye konflikte me pasoja të rënda. Por kur e pyeta mikun tim se si e shpjegon që vëllezërit tanë blejnë pasuri të paluajtshme (tokë,ndërtesa,fabrika) në Itali apo Greqi, ai nuk m’u përgjigj drejtpërdrejt por përsëri shau qeverinë...
Ky shkrim por edhe klima e përgjithëshme në vend, nga ngjarjet e fundit më ngacmoi të formuloj këtë shkrim.
E vërteta është se vitet e fundit Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Shqipëri kanë arritur nivele historike. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2025 fluksi i IHD-ve arriti në 1.64 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 3.5% krahasuar me vitin 2024 dhe duke vijuar prirjen rritëse për të pestin vit radhazi. Për më tepër, stoku total i investimeve të huaja ka kaluar 16.6 miliardë euro, një nivel i paimagjinueshëm vetëm disa vite më parë.
Struktura e këtyre investimeve tregon se: Pasuritë e Paluajtshme, përbëjnë sektorin kryesor, me rreth 561 milionë euro ose 34.3% të totalit në 2025; Aktivitetet Financiare, ndjekin me 291 milionë euro; Sektori i Energjisë dhe Hidrokarbureve tërheq nga rreth 140 milionë euro secili. Ndërkohë Turqia dhe Italia kryesojnë listën e investitorëve, por vlen të theksohet roli i madh i Holandës dhe Zvicrës, ku shpesh ndodhen kompanitë holding të investitorëve evropianë.
Ky fluks i lartë kapitali ka bërë që Shqipëria të ketë IHD në masën 6% të PBB-së, një shifër dukshëm më e lartë se mesatarja e BE-së prej 2.8%. Rritja ekonomike ka qenë e qëndrueshme, duke arritur 3.8% në 2025, ndërsa deficiti i llogarisë korrente pritet të bjerë në vetëm 0.7% të PBB-së, kryesisht falë të ardhurave nga turizmi dhe shërbimet, të nxitur nga investimet.
Përfitimet konkrete të Investimeve të Huaja
Përtej shifrave makro, si rritja ekonomike dhe nxitja e punësimit, forcimi i financave publike dhe reduktimi i borxhit, rritja e konkurrushmërisë globale , rritja e besueshmërisë dhe reputacionit të vendit etj; Investimet e huaja direkte, kanë një rol të rëndësishëm edhe në treguesit e drejtëpërdrejtë të jetës së qyetarëve si;
Punësimi dhe pagat: Investimet e huaja krijojnë vende pune, shpesh me paga më të larta se mesatarja. Kompanitë e huaja sjellin standarde më të mira pune dhe trajnime për fuqinë punëtore vendase. Boom-i turistik, i financuar pjesërisht nga investimet e huaja në hotele dhe resorte, ka krijuar mijëra vende pune sezonale dhe të përhershme.
Transferimi i teknologjisë dhe ekspertizës; Kur një kompani ndërkombëtare hap një fabrikë ose një qendër shërbimi në Shqipëri, ajo sjell makineri të reja, procese efikase dhe ekspertizë menaxheriale. Kjo rrit produktivitetin e përgjithshëm të ekonomisë dhe krijon një efekt ndaj bizneseve vendase.
Rritja e eksporteve dhe hyrja e valutës: Investitorët e huaj shpesh prodhojnë për eksport, duke sjellë valutë të fortë në vend. Kjo forcon Lekun dhe përmirëson bilancin tregtar. Investimi i madh në pasuritë e paluajtshme ka sjellë një fluks të konsiderueshëm kapitali nga jashtë.
Zhvillimi i Infrastrukturës: Investimet në sektorin e energjisë (si hidrocentralet, por edhe parqet diellore dhe të erës) përmirësojnë sigurinë energjetike të vendit dhe ulin kostot për bizneset dhe familjet. Investimet në turizëm çojnë në ndërtimin e rrugëve, aeroporteve dhe shërbimeve mbështetëse.
Vënia në qarkullim e aseteve kombëtare; Nëntoka dhe mbitoka e vendit(nafta,gazi,mineralet, etj) kanë pasuri të pallogaritshme të cilat “flejnë” dhe nuk i shërbejnë interesave kombëtare për shkak të pamundësive reale për shfrytëzim, të investitorëve vendas për ti vënë ato në qarkullim.
Por pyetja legjitime që lind në këtë rast është; Pse nuk mund t’i bëjnë këto investime, bizneset vendase? Arsyet janë të qarta dhe të lidhura me realitetin ekonomik shqiptar. E vërteta është se investitorët vendas nuk janë të diskriminuar me ligj apo në ndonjë formë tjetër por ata vetë diferencohen për shkak të faktorëve që po i renditim më poshtë;
Mungesa e kapitalit: Projektet në fjalë (si resorti turistik në Sazan apo Zvërnec, shfrytëzimi i minierave, apo hidrocentralet e mëdha) kërkojnë investime që shkojnë në qindra milionë euro. Asnjë biznes i vetëm vendas nuk ka kapacitetin financiar për të realizuar një projekt të tillë.
Mungesa e teknologjisë dhe ekspertizës: Shfrytëzimi i mineraleve, ndërtimi i infrastrukturës komplekse turistike, apo menaxhimi i projekteve të mëdha energjetike kërkon teknologji dhe know-how që akoma nuk disponohet në Shqipëri.
Rreziku: Bizneset vendase janë shpesh të kufizuara nga një treg i vogël dhe mungesa e sigurisë. Investitori i huaj është i gatshëm të marrë rreziqe më të mëdha për kthime më të larta.
Të presësh që bizneset vendase të “fuqizohen” para se të vijnë investitorët e huaj është një qasje naive. Investimet e huaja janë pikërisht motori që fuqizon bizneset vendase, duke u krijuar atyre mundësi për të qenë nënkontraktorë, për të furnizuar mallra dhe shërbime dhe për të mësuar nga partnerët e huaj.
Kësisoi në vend se të frikësohemi nga investimet, le të shohim se si fqinjët tanë po i shfrytëzojnë ato. Mali i Zi, një vend me treg dhe popullsi më të vogël se Shqipëria, ka tërhequr investime të mëdha në turizëm dhe pasuri të paluajtshme. Në vitin 2024, Mali i Zi tërhoqi rreth 553 milionë euro investime, me një rritje vjetore prej 14%. Kjo tregon se investitorët e huaj nuk ndalen para madhësisë së vendit, por para mundësive.
Dhe mësimi kryesor që vjen nga Mali i Zi është se ai ka krijuar një klimë të favorshme ligjore dhe fiskale për investitorët e huaj, veçanërisht në sektorin e turizmit. Ndërsa Shqipëria ka arritur të tërheqë investime më të mëdha në total (1.64 miliardë € vs 553 milionë € të Malit të Zi),por problemi qëndron te vështirësia në diversifikimin e kapitaleve. Investimet në Shqipëri janë tepër të përqendruara në pasuri të paluajtshme dhe sektorë me vlerë të ulët të shtuar, ndërsa Mali i Zi po punon për të tërhequr investime në teknologji dhe prodhim që kanë një normë të lartë të kthimit kapitalit.
Retorika boshe e shitjes së atdheut, si armike e zhvillimit. Pasojat.
Retorika e “shitjes” së Shqipërisë është një armë e vjetër e qarqeve reaksionare, aktualisht ajo është përsosur më tej dhe është pjesë e luftës hibride, që vende jo miqësore me Shqipërinë e përdorin me efekt, falë edhe brishtësisë së organeve ligjzbatuese në vendin tonë. Ajo përdoret për të nxitur pasiguri dhe për të penguar çdo ndryshim që rrit konkurueshmërinë e vendit. Pasojat e kësaj retorike janë shkatërrimtare dhe shumëdimensionale dhe konsistojnë;
Kërcënimi i investitorëve: Investitorët e huaj ndjehen të pasigurtë dhe të kërcënuar, ndërkohë që ata kanë nevojë për siguri dhe parashikueshmëri. Kur një vend etiketohet si “në shitje”, ai dërgon një sinjal alarmues në tregjet ndërkombëtare. Investitorët mund të tërheqin kapitalin e tyre, të anulojnë projektet e planifikuara ose të kërkojnë destinacione më të qëndrueshme si Mali i Zi, Serbia apo Maqedonia e Veriut.
Politikat populiste dhe bllokimi i projekteve: Kjo retorikë ushqen protesta dhe përballje ligjore që vonojnë dhe rëndojnë projektet investuese. Çdo investim, sado i mirë, vihet në dyshim. Kjo krijon një klimë ku investitorët i shmangen Shqipërisë, duke e dëmtuar rëndë ekonominë.
Humbja e besimit të publikut: Duke krijuar përshtypjen se vendi po “shitet”, këta zëra gërryejnë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe tek e ardhmja e vendit. Kjo dobëson kohezionin social dhe bën më të vështirë çdo reformë të nevojshme.
Një rrugë pa krye për zhvillimin: Duke kundërshtuar çdo investim, këta kritikë nuk ofrojnë asnjë alternativë. Ekonomia shqiptare, e cila ka nevojë për kapital, teknologji dhe vende pune, mbetet e bllokuar në një gjendje të prapambetur. “Zgjidhja” e tyre është status quo-ja, pra varfëria dhe zhvillimi i ulët dhe qëndrimi në vend numëro.
Shqipëria ka nevojë për Investime, jo për Retorikë
Investimet e huaja nuk janë një kërcënim, por një mundësi jetike për Shqipërinë. Ato sjellin kapital, punësim, teknologji dhe rritje ekonomike. Problemi i vërtetë i Shqipërisë nuk është “shitja” e vendit, por mungesa e një strategjie afatgjatë për të tërhequr investime cilësore në prodhim, teknologji dhe shërbime me vlerë të lartë të shtuar. Kritika e ndërtuar dhe konstruktive është e mirëseardhur. Por retorika reaksionare dhe sabotimi i çdo nisme investuese është një rrugë e sigurt drejt stanjacionit dhe varfërisë. Koha për të ndryshuar retorikën është tani. Le të ndalojmë së foluri për “shitjen” e Shqipërisë dhe të fillojmë të flasim për zhvillimin e saj.
Për t'iu kundërvënë efektivisht retorikës së "shitjes" së Shqipërisë nevojitet një punë e mirëfilltë e organeve qeveritare por edhe e shoqërisë, në radhë të parë mediave dhe intelektualëve. Kjo retorikë siç e shpjeguam edhe më lart ka pasoja të rënda për ekonominë dhe perspektivat e zhvillimit të saj.
Një nga mjetet më të fuqishme për të luftuar këtë retorikë është transparenca dhe informimi i publikut.Transparenca qeveritare nuk është thjesht një mjet; është arma më e fuqishme për të çmontuar retorikën e "shitjes" dhe për të ndërtuar besimin e publikut.
Më duhet të them se ky komponent pavarësisht progresit , është mjaft i reduktuar në mjedisin tonë. Strukturat qeveritare nuk duhet të mjaftohen me publikimet në faqet zyrtare të institucioneve, pasi kjo mënyrë nuk është e aksesueshme për publikun e gjërë, i cili në mungesë të informacionit, shpesh herë rrezikon të bjerë pre e manipulimeve dhe e retorikës së grupeve të interesit.Strukturat përkatëse qeveritare duhet të jenë gjithë sy e veshë ndaj shqetësimeve qytetare dhe ta informojnë atë sa herë që ngrihen këto shqetësime në platformat e mediave vizive apo të shkruara. Një shqetësim i fundit ishte për Zvërnecin, shqetësim që u transmetua edhe te shkruesi i këtyre radhëve. Qytetarët kërkonin anullimin e projektit pasi ai dëmtonte mjedisin ( florën dhe faunën) madje dikush kërkonte të vinte para përgjegjsinë atë që kishte bërë studimin për ndikimin në mjedis .Me këtë qëndrim u pajtova edhe unë. Por e vërteta që mësova më vonë, është se një projekt i tillë nuk ekziston akoma dhe një studim për ndikimin në mjedis nuk mund të hartohet përpara se të ketë një projekt, pasi studimi do ti referohet projektit. Por këtë fakt druaj se nuk e dinë as ata që protestojnë dhe kështu krijohen pasoja të kota të padëshirueshme.
Këto nuk janë thjesht kundërpërgjigje, por instrumente që çdo qytetar, gazetar apo institucion mund t'i përdorë për të çmontuar mitin e "tradhtisë kombëtare" dhe për të sjellë debatin aty ku duhet: te zhvillimi dhe prosperiteti. Do të isha i lumtur në se opinion bërësit publik, në përballje me këto situata do ti referoheshin kuadrit ligjor e institucional i cili qartëson se asetet janë në duart e shtetit dhe investitori është vetëm një partner me kontratë. Në Shqipëri, burimet natyrore (uji, mineralet, pyjet, brigjet) janë pronë e patjetërsueshme e shtetit, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe ligje të tjera. Një investitor i huaj nuk mund t'i "blejë" ato kurrë. Ai mund të marrë vetëm të drejtën për t'i shfrytëzuar për një kohë të caktuar, duke respektuar ligjet shqiptare.
Retorika e "shitjes" lulëzon aty ku ka zbrazëtirë informacioni.Mjetet e transparencës qeveritare dhe të informimit publik nuk janë një luks, por një domosdoshmëri, një detyrim, një parakusht për qeverisje të mirë. Ato janë antitrupi kundër virusit të dyshimit të pabazuar por edhe të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin..."/dritare.net