Ambasada e SHBA në Tiranë këshillon qytetarët amerikanë të shmangin protestën e opozitës
Dritare.net

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka publikuar një njoftim për shtetasit amerikanë në Shqipëri, duke i këshilluar të tregojnë kujdes të shtuar gjatë protestës së paralajmëruar të opozitës në kryeqytet.
Në deklaratë theksohet se, edhe pse tubimet dhe protestat zakonisht nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt dhe të bëhet e paparashikueshme. Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u kërkohet të mos marrin pjesë në aktivitet dhe të shmangin zonën ku do të zhvillohet protesta.
Ambasada njofton gjithashtu se stafi i saj është udhëzuar të evitojë lëvizjet në zonën e protestës, për arsye sigurie.
Sipas njoftimit, tubimi është planifikuar të nisë në orën 19:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”, pranë godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
Paralajmërohet se protesta mund të shtrihet edhe në zona të tjera përreth, ndërsa priten masa të shtuara të policisë, bllokime rrugësh dhe kufizime të qarkullimit para dhe gjatë zhvillimit të tubimit.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë të:
shmangin zonat e protestës
ndjekin mediat lokale për përditësime
kenë një plan emergjence dhe rrugë alternative
ruajnë profil të ulët gjatë lëvizjes në publik
Autoritetet pritet të jenë të pranishme me masa sigurie të shtuara gjatë zhvillimit të protestës./L.F-dritare.net