Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Berisha sulmon gjyqtaren Gjoka: Delikuente

Berisha sulmon gjyqtaren Gjoka: Delikuente

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar sot sulmet ndaj gjyqtares së hetimit paraprak Irena Gjoka, e cila po shqyrton çështjen e njohur si “afera Partizani”, ku ai është i përfshirë si i pandehur.

Nga ambientet e SPAK, ku u paraqit për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, Berisha akuzoi Gjokën se nuk ka plotësuar kriteret ligjore për t’u bërë gjyqtare, duke pretenduar se ajo ka fshehur një dënim të marrë në Greqi për falsifikim dokumentesh.

“Irena Gjoka nuk ka pasur kriteret për të qenë gjykatëse. Kjo e bën çdo procedurë gjyqësore të drejtuar prej saj, që nga dita e emërimit, të pavlefshme, pasi është drejtuar nga një person që nuk mund të ishte gjyqtare,” – deklaroi Berisha.
Sipas tij, gjyqtarja mbahet në detyrë vetëm sepse ka në dorë dosjen e ish-presidentit Ilir Meta, për të cilën Berisha tha se “nuk ka asnjë fakt penal”.

“Ajo mbahet në detyrë sepse po mban dosjen e Ilir Metës, një dosje që nuk ka asnjë provë penale, përveç urrejtjes politike të Edi Ramës ndaj tij,” – shtoi Berisha.

“Delinkuente që mbron pushtetin”

Berisha e ashpërsoi më tej gjuhën, duke e quajtur Gjokën “delinkuente” dhe duke akuzuar institucione të tjera për mbrojtjen e saj.

“Kjo delinkuente fshihet nga Altin Troplini, nga prokurori i përgjithshëm, nga kryeinspektori i përgjithshëm që thotë se nuk është njoftuar. Në fakt, dokumentet i janë fshehur. Ajo qëndron në detyrë duke shkelmuar Kushtetutën dhe ligjet që e diktojnë largimin e saj të menjëhershëm,” – deklaroi Berisha.

Ky është sulmi i radhës i Berishës ndaj trupës gjyqësore dhe institucioneve të drejtësisë që po ndjekin dosjet e tij penale. SPAK vijon hetimet për aferën “Partizani”, që lidhet me dyshimet për përfitime të paligjshme pronash në zonën e ish-kompleksit sportiv “Partizani” gjatë kohës që Berisha ishte në pushtet./L.F-dritare.net