Bllokohet aksi Librazhd–Prrenjas: Ura rrezikon shembjen, devijohet qarkullimi
Dritare.net

Autoritetet kanë vendosur bllokimin e plotë të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec, konkretisht në segmentin Librazhd–Prrenjas, për shkak të rrezikut nga një urë që po dëmtohet në zonën e quajtur “Arrat e Gurrës”.
Ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve, përfshirë automjetet e vogla, autobusët dhe mjetet e tonazhit të rëndë.
Lejohet kalimi vetëm për ambulancat, zjarrfikëset dhe policinë.
Rrugë alternative për automjetet e vogla është itinerari Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh–Tiranë dhe anasjelltas.
Për mjetet e rënda aktualisht nuk ka devijim alternativ.
Nuk ka ende një afat se kur do të rihapet rruga.
Sipas kreut të Autoriteti Rrugor Shqiptar, situata është përkeqësuar në 48 orët e fundit: ura është zhvendosur disa centimetra dhe betoni në bazament po shpërbëhet, çka e bën kalimin të pasigurt. Shkaku kryesor konsiderohet fenomen natyror – gërryerja e bazës nga lumi në një zonë ujëmbajtëse.
Autoritetet po punojnë për një zgjidhje provizore me ndërtimin e një by-pass-i pranë zonës, ndërsa policia ndodhet në terren për të orientuar drejtuesit e mjeteve. Qytetarëve u kërkohet të shmangin këtë aks për të mos mbetur në trafik dhe të telefonojnë 112 në rast emergjence./L.F-dritare.net