Çfarë më bën të çmendem në Shqipëri? Flet polakja!
Dritare.net

Iwona, e ardhur nga Polonia dhe tashmë prej vitesh jeton në Shqipëri, tregon sfidat e para të përshtatjes me jetën në vend, duke ndalur veçanërisht te qarkullimi rrugor dhe kultura e respektimit të orareve.
Ajo shprehet se, edhe pse ka leje drejtimi, në fillim e kishte të vështirë të drejtonte automjetin në Shqipëri. “Nuk e kuptoja si duhej t’i jepja makinës. Dukej sikur askush nuk i zbaton rregullat”, thotë ajo, duke shtuar se në qytete si Tirana situata është edhe më sfiduese, ndërsa në Vlorë është më e lehtë.
“Kur vij në Tiranë, i them burrit tim: ‘Jepi ti makinës, unë nuk ia dal dot. Duhet të kesh sy rreth e rrotull kokës’”, rrëfen Iwona.
Një tjetër element që e ka surprizuar është fleksibiliteti në respektimin e orareve. Megjithatë, ajo thekson se është përshtatur me kalimin e kohës dhe e kupton këtë si pjesë të kulturës lokale.
Pavarësisht kësaj, në aktivitetin e saj profesional në turizëm, Iwona tregon se ruan standarde të rrepta për korrektësinë në kohë. Sipas saj, turistët presin shërbim të organizuar dhe reagojnë menjëherë edhe për vonesa minimale.
“Kur autobusi vonohet një apo dy minuta, turistët telefonojnë menjëherë. Por ne u themi: jeni në Shqipëri, merreni pak më shtruar”, shprehet ajo.
Historia e Iwonës pasqyron sfidat dhe përshtatjen e të huajve me realitetin shqiptar, duke nxjerrë në pah dallimet kulturore, por edhe mënyrën se si ato kapërcehen me kohën.