
Shtëpia ime, Amerika dhe malli për jetën që lamë pas! Flet Raimonda Moisiu-SHBA!
Dritare.net
Raimonda Moisiu gazetare dhe shkrimtare, erdhi sot në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të folur për jetën e saj. Zonja Moisiu, e lindur dhe rritur në Korçë në një familje edukatorësh, u largua nga Shqipëria në tetor të 1999-ës drejt SHBA-së, me dy fëmijët e saj. Zonja Moisiu tregon se Amerika nuk ishte siç e tregonin, iu desh kohë të përshtatej, bëri çdolloj pune deri sa ktheu diplomën dhe punoi si mësuese e ciklit të ulët, pasi në Korçë kishte punuar për 20 vjet si mësuese anglishteje. Zonja Moisiu rrëfen çastin e vështirë para ikjes, kur iu desh të lërë djalin e madh në një familje greke, në Verie, sepse nuk e merrte dot në Amerikë. Ika me zemrën copë, thotë zonja Mosiu, por dy grekëve u jam falënderuese që ma deshën djalin si të vetin.
“Unë kam 25 vjet në Amerikë. Sot jetoj në Florida. Unë kam ikur në tetor të 1999-shit falë një lotarie amerikane. Fillimisht mora dy fëmijët që ishin adoleshentë. Unë isha 42 vjeçe kur erdha në Amerikë dhe sot jam 67 vjeçe. Në Amerikë erdha me dy fëmijë, sot ata janë rritur dhe kanë krijuar familje. Më pas mora edhe djalin tjetër. Fillimi ishte i vështirë, më dukej sikur isha para një zhgënjimi total. Thosha: O zot ku jam dhe çfarë po bëj? Fillimisht kemi bere çdolloj pune, pastrim, mblidhja gjethe, çdo gjë vetëm për të integruar fëmijët. Unë që punova 20 vjet si mësuese anglishteje në Korçë, erdha këtu dhe bëja çdo punë që të shkolloja fëmijët fëmijë. Por kjo për pak kohë sepse më pas filluam të ecim përpara. M’u deshën 6 muaj që të bëja evaluimin e diplomës dhe fillova të punoj me fëmijët parashkollorë disa muaj pasi erdha në Amerikë.
Amerika nuk ishte ashtu siç e tregonin, paratë nuk rriteshin në pemë, por duhet të punosh shume sepse këtu jeta është shumë intensive gjithë ditën dhe kur vjen darka thua çfarë bëra sot. Unë çuditëm me veten se si më ikën 25 vjet. Ne erdhëm ne 9 tetor të 1999-ës. Kur ishte Dita e Kolombos në Amerikë. Kolombo zbuloi Amerikën, ndërsa ne i ramë rrotull për të zbuluar Amerikën. Unë ika nga Shqipëria me zemrën copë. Nuk e mora me vete djalin tim të madh sepse për fat të keq 2 muaj para se të jepja intervistën ai kishte mbushur 21 vjeç dhe nuk e tërhiqja dot. Unë isha me fat që e lashë djalin e madh për 5 vjet te një familje në Greqi. Ata ma kanë mbajtur si djalin e tyre. Edhe sot e kësaj dite e konsiderojnë si djalin e tyre. Kur bëra bashkimin familjar dhe shkova në Veria të marr djalin, ata kanë qarë shumë. E them këtë sepse njerëzit ndonjëherë i trumbetojnë për keq grekët. Ndërsa unë ruaj një konsideratë të jashtëzakonshme. Sepse edhe sot ata e marrin djalin tim në telefon çdo javë, sepse e konsiderojnë si djalin e tyre. Ajo zonja greke më thotë shpesh: “Faleminderit që e ndave djalin tënd me mua.” Ishte shumë e vështirë, dhimbje shumë e madhe për mua ta lija për 5 vjet.”, tregon zonja Moisiu në DritareTV.
Raimonda Moisiu iku në Amerikë, ama nuk u shkëput kurrë nga Shqipëria dhe pasioni i saj, shkrimi. Nuk u dorëzua kurrë së treguar historitë e të tjerëve, edhe kur jeta e saj nuk ishte ajo që donte. Në 20 vjet në Amerikë, Raimonda Moisiu ka shkruar 14 libra, me proza e poezi, tregime, përkthime e publicistikë, ka realizuar 201 intervista me personazhe të letrave shqipe dhe të të gjitha fushave. Unë thotë zonja Moisiu, jam gati të bëj çdolloj sakrifice vetëm që të shkruaj, sepse libri është pasuria ime më e madhe.
“Unë fillova të shkruaj dhe kontaktin e parë e pata me gazetarin Dalip Grecaj. Kam shkruar 14 libra dhe njëri prej tyre autobiografik. Unë kam botuar edhe një libër me 60 intervista. Kam edhe 140 intervista pa botuar dhe në total janë 201. Kam intervistuar personazhe të letrave shqipe, të të gjitha fushave. Ndërsa rri në shtëpi, unë shkruaj, gatuaj edhe botoj. Jam gati të bëj çdolloj sakrifice vetëm që të shkruaj. Libri është pasuria ime më e madhe. Edhe fëmijët ma dinë këtë pikë të dobët dhe më suportojnë si nga ana shpirtërore, njerëzore, materiale e çdo gjë. Ata e vlerësojnë që unë kam sakrifikuar jetën time, që i kam rritur vetë, i nxora në dritë, i solla në Amerikë. Unë përsëri u qëndroj pranë, i ndihmoj me çdo gjë që kanë nevojë. Unë e kam librin antistres. Të shkruanit më jepte një qetësi. Këtë mënyrën e të shkruarit ma ka ngulitur në mëndje daja ime. Ai ishte i apasionuar pas librit dhe letërsisë. Në vitet ‘50 që nuk lejohej të mbaheshin libra të ndaluar, ai i mbante fshehur në tavanin e shtëpisë. Unë kacavirresha, i merrja. Në moshën 12-vjecate kam lexuar “Zonjusha me orkide”, libër i ndaluar. Hipja në tavan fshehur, e lexoja dhe e lija prapë. Kështu nuk kam reshtur kurrë së lexuari dhe shkruari.”, tregon zonja Moisiu ndër të tjera./K.C/dritare.net

















