Na ndiqni edhe në

Emisionet

Si filtrohet gjaku për dhuruesit? Ja laboratori ku ruhet

Si filtrohet gjaku për dhuruesit? Ja laboratori ku ruhet

Pasi gjaku dhurohet, ai fillon një udhëtim kompleks dhe të teknologjizuar në repartin e përpunimit. Ky është hapi ku një njësi e vetme gjaku transformohet për të shpëtuar deri në tre jetë. Paralelisht me këtë proces, mostrat e gjakut dërgohen në laboratorë të tjerë për testimin e grupit dhe sëmundjeve infektive.

Procesi fillon me centrifugimin. Njësitë e gjakut vendosen në centrifuga të mëdha, të cilat rrotullohen me shpejtësi të lartë për të ndarë gjakun në komponentët e tij bazuar në densitet. Nga ky proces përfitohen tre produkte kryesore:

1.Masa Eritrocitare (Qelizat e Kuqe):Pjesa më e rëndë, që depozitohet në fund. Kjo përdoret për pacientët me anemi ose ata që kanë humbur gjak.

2. Plazma: Lëngu i verdhë që mbetet sipër. Ajo ngrihet menjëherë për të ruajtur faktorët e koagulimit dhe përdoret për pacientë me probleme të mpiksjes së gjakut.

3. Shtresa 'Bafikot' (Buffy Coat): Një shtresë e hollë mes plazmës dhe qelizave të kuqe, e pasur me trombocite dhe qeliza të bardha.

Ndërsa qelizat e kuqe dhe plazma janë gati relativisht shpejt, prodhimi i trombociteve është shumë më i ndërlikuar. Duhen gjashtë njësi 'bafikot' nga gjashtë dhurues të ndryshëm të të njëjtit grup gjaku për të krijuar një dozë të vetme terapeutike trombocitesh. Këto bashkohen, i nënshtrohen një centrifugimi të dytë dhe një procesi inaktivizimi të patogjenëve për të garantuar siguri maksimale.

Trombocitet ruhen në temperaturë ambienti dhe në tundje të vazhdueshme për të parandaluar grumbullimin e tyre, duke qenë gati për pacientët onkohematologjikë dhe ata me çrregullime të mpiksjes./dritare.net