
Nga këngët për " Liri" tek fjalimet në nder të UÇK-së, çfarë u pa sot në protestën e madhe pranë Sheshit Skëndërbej
Dritare.net
Ka përfunduar protesta në Tiranë që u mbajt pro ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale. Në këtë protestë mori pjesë edhe djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili e falënderoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën për kontributin në organizimin e protestës.
Qytetarët me veshjen e UÇK-së, me bluza “Unë jam UÇK” dhe me simbole kombëtare mbushën plot sheshin ndërsa para tyre folën veteran dhe përfaqësues të tjerë.
“UÇK” “Liri për çlirimtarët” ishin disa nga thirrjet që ushtuan në shesh përballë bustit të heroit kombëtar Skënderbeut, ku qytetarët shprehen mjaft entuziastë për këtë protestë të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Në protestë janë të pranishëm deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërkohë që deputetët e PD-së deklaruan më herët se nuk do të jenë pjesë.
Protesta e sotme u organizua në Tiranë nga veteranët e UÇK-së, dhe është protesta e tretë që po organizohet gjatë këtij viti në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Prej 3 prillit të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

















