Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndahet nga jeta piktori i njohur, Skënder Kamberi

Ndahet nga jeta piktori i njohur, Skënder Kamberi

Është ndarë nga jeta piktori i njohur shqiptar Skënder Kamberi, një prej emrave më të rëndësishëm të artit pamor në Shqipëri. Largimi i tij shënon një humbje për kulturën shqiptare.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Kamberi krijoi një numër të madh veprash artistike, disa prej të cilave ruhen sot në fondin e Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, si dhe në koleksione private brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij janë prezantuar në ekspozita ndërkombëtare në vende si Egjipti, Franca, Anglia, Turqia, Italia dhe Greqia, duke e bërë emrin e tij të njohur edhe përtej kufijve.

Ndër krijimet më të spikatura të Skënder Kamberit përmenden tablotë kompozicionale “Ndihma e shokut” (1966), “Betimi i Vrana Kontit” (1968), “Kthimi i nëndetseve”, “Buka e duarve tona” (1976), “Në Belvedere në Vjenë sikur pashë Skënderbenë” (1977), “Otranto, 1997”, si edhe portretet e luftëtarit Sali Vranishti (1971) dhe poetes Maro Pasho (1973).

Skënder Kamberi lindi në Vlorë më 2 shkurt 1939. Ai përfundoi Liceun Artistik në vitin 1960 dhe më pas vijoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ku u diplomua në vitin 1965. Me një jetë të përkushtuar ndaj artit, Kamberi lë pas një trashëgimi të pasur dhe një kontribut të çmuar në historinë e pikturës shqiptare./K.C/dritare.net