Iwona Rrapaj: Pse e lashë Poloninë për Vlorën
Dritare.net

Iwona Rrapaj, një vajzë nga Polonia, prej 7 vitesh e ka lidhur jetën me Shqipërinë, ndërsa prej 4 vitesh jeton pa ndërprerje në Vlorë, qytetin ku u dashurua dhe vendosi të ndërtojë të ardhmen e saj.
Ajo erdhi fillimisht në Shqipëri në moshën 23-vjeçare për punë si drejtuese e një ekipi animatorësh, ku njohu edhe bashkëshortin e saj, me të cilin sot drejton agjencinë turistike “Flamingo Tours Albania”. Vendimi për t’u zhvendosur përfundimisht në Shqipëri erdhi pas periudhës së pandemisë dhe nisjes së luftës në Ukrainë.
Ivona tregon se fillimet nuk kanë qenë të lehta, sidomos për shkak të ndryshimeve në kulturën e përditshme, si respektimi i orareve dhe mënyra e drejtimit të automjeteve. Megjithatë, me kalimin e kohës ajo është përshtatur dhe sot e konsideron Shqipërinë shtëpinë e saj.
Përmes “Flamingo Tours Albania”, ajo sjell turistë kryesisht nga Polonia, të cilët, sipas saj, janë gjithnjë e më të interesuar për Shqipërinë për shkak të çmimeve më të ulëta krahasuar me vendet e tjera europiane, por edhe për natyrën, historinë dhe përvojat unike që ofron vendi.
Turet përfshijnë destinacione si Berati, Gjirokastra, Saranda, Llogaraja dhe Dhërmiu, si dhe aktivitete të ndryshme nga deti në mal, duke synuar të tregojnë “Shqipërinë e vërtetë”.
Ajo thekson se ajo që i mahnit më shumë turistët është mikpritja shqiptare, duke përmendur rastet kur banorët vendas u ofrojnë ushqime dhe ndihmë pa asnjë interes.
“Ne nuk shesim thjesht udhëtime, por japim eksperienca dhe kujtime”, shprehet Ivona, duke shtuar se ndihet e lumtur që është tashmë pjesë e Shqipërisë./L.F-dritare.net