Me pankarta dhe flamuj, qytetarët në ditën e 7-të të protestës
Dritare.net

Përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë janë mbledhur edhe këtë të shtunë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në kuadër të protestave kundër ndryshimeve ligjore që, sipas tyre, prekin zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë natyrore të vendit.
Tubimi shënon ditën e shtatë të protestës, ndërsa pjesëmarrësit marshuan nga qendra e kryeqytetit drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t'u ndalur më pas para godinës së Kryeministrisë. Me flamuj dhe pankarta në duar, protestuesit kërkuan rishikimin e një sërë nismash ligjore që lidhen me mjedisin dhe zhvillimin e territorit.
Ata kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore, mes të cilave dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Sipas organizatorëve, protestat synojnë të rrisin ndërgjegjësimin publik mbi mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kulturore të vendit, ndërsa kërkojnë më shumë transparencë dhe konsultim publik për nismat që prekin këto fusha./L.F-dritare.net