Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga adoleshenca tek demenca: Pesë fazat që formojnë trurin tonë

Nga adoleshenca tek demenca: Pesë fazat që formojnë trurin

Një studim i fundit nga Universiteti i Cambridge ka zbuluar se truri ynë kalon pesë faza kryesore gjatë jetës, me momente kyçe në moshat 9, 32, 66 dhe 83 vjeç. Studimi, i publikuar në Nature Communications, analizoi skanime të trurit të rreth 4,000 personave deri në moshën 90 vjeç, duke zbuluar se lidhjet mes qelizave të trurit ndryshojnë ndjeshëm gjatë gjithë jetës.

Pesë fazat e trurit sipas studimit janë:

Fëmijëria (0-9 vjeç) – Truri rritet shpejt, por gjithashtu heq lidhjet e tepërta mes qelizave, duke e bërë funksionimin më pak efikas.
Adoleshenca (9-32 vjeç) – Lidhjet në tru bëhen më efikase, duke e bërë trurin më të organizuar. Kjo është gjithashtu periudha me rrezikun më të madh për çrregullime të shëndetit mendor.
Mosha e rritur (32-66 vjeç) – Truri hyn në një fazë stabiliteti, ku ndryshimet ndodhin më ngadalë. Efikasiteti fillon të bjerë gradualisht, duke reflektuar një “plateau” të inteligjencës dhe personalitetit.
Plakja e hershme (66-83 vjeç) – Lidhjet në tru fillojnë të fragmentohen në rajone të veçanta që funksionojnë më shumë në mënyrë të pavarur. Kjo periudhë përkon me rritjen e rrezikut për sëmundje si dementia dhe hipertensioni.
Plakja e vonë (83+) – Lidhjet fragmentohen më shumë dhe ndryshimet janë më të theksuara. Të dhënat janë më të pakta për këtë grup moshe për shkak të mungesës së skanimeve të trurit të shëndetshëm.
Sipas Dr. Alexa Mousley, truri “ri-organizohet gjatë gjithë jetës, duke forcuar dhe dobësuar lidhjet. Nuk është një proces i vazhdueshëm dhe uniform, por ka faza dhe luhatje të qarta”.

Studiuesit vërejnë se këto faza lidhen ngushtë me ngjarje të rëndësishme jetësore, si puberteti, ndryshimet shëndetësore më vonë në jetë dhe ndryshimet sociale në të tridhjetat, si prindërimi.

Prof. Duncan Astle nga Cambridge thekson se “shumë çrregullime neurozhvillimore, mendore dhe neurologjike lidhen me mënyrën se si truri është i lidhur”. Ndërsa Prof. Tara Spires-Jones nga Universiteti i Edinburgh thekson se studimi është “shumë interesant dhe tregon se sa shumë ndryshon truri gjatë jetës”, por paralajmëron se jo të gjithë njerëzit do të kalojnë këto ndryshime në të njëjtat mosha.

Ky studim ofron një pasqyrë të re mbi dinamikën e trurit dhe mund të ndihmojë në kuptimin e rrezikut për sëmundje të ndryshme mendore dhe neurodegjenerative gjatë jetës./L.F-dritare.net