Ngjarja e rëndë në Shëngjin/ Policia e Lezhës: Pesë të rinj nga Kosova u përfshinë nga dallgët, dy humbën jetën
Dritare.net

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Shëngjin, ku pesë të rinj nga Kosova, teksa ishin futur për t’u larë në det, janë përfshirë nga dallgë të forta të shkaktuara nga erërat e fuqishme. Si pasojë e situatës, dy prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerët ndodhen në gjendje të rënduar shëndetësore. Në njoftimin zyrtar, Policia e Lezhës bën me dije se falë ndërhyrjes së menjëhershme të qytetarëve me jet ski, në bashkëpunim me shërbimet policore, është bërë e mundur nxjerrja e pesë të rinjve nga deti, të cilët më pas janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Njoftimi i policisë:
Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.
Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./K.C/dritare.net