
Sot në Bruksel Konferenca e 6-të ndërqeveritare me BE! Rama: Ritëm rekord!
Dritare.net
Shqipëria bën sot një tjetër hap të rëndësishëm drejt rrugës së anëtarësimit në BE. Sot, në orën 08:00, në Bruksel do të nisë Konferenca e 6-të ndërqeveritare me Unionin evropian për grupkapitullin Grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, ku pritet të hapen 4 kapituj të tjerë: Politika e transportit, Energjia, Rrjetet trans-evropiane, Mjedisi si dhe ndryshimet klimatike. Takimi do të bashkëdrejtohet nga Marie Bjerre, ministrja për Çështjet Evropiane e Danimarkës, vend që mban aktualisht presidencën e BE-së, dhe kryeministri Edi Rama, i cili udhëtoi drejt Brukselit një ditë më parë. Më pas në orën 09:15, kryeministri do të mbajë një konferencë për shtyp me ministren daneze dhe me komisioneren e BE-së për zgjerim, Marta Kos.
Kryeministri Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm, para nisjes së takimit, disa foto me Komisioneren e BE për Zgjerim, Marta Kos, ndërsa shkruan se Shqipëria po shënon një ritëm rekord në negociata.
“Mirëmëngjes dhe me padurimin e sotëm për të hapur edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj, një ritëm rekord, ju uroj një ditë të mbarë, shkroi Rama.
Këta katër kapituj i shtohen 24 të tjerëve të hapur brenda më pak se një viti, ritëm që kryeministri Rama e ka cilësuar si “rekord absolut” në historinë e negociatave. Deri tani, Shqipëria ka çelur 4 nga 6 grupkapituj kryesorë: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm dhe Konkurrueshmërinë me Rritjen Gjithëpërfshirëse.

















