
Veteranët e UÇK-së rreshtohen para memorialit, nderojnë Skënderbeun
Dritare.net
Protestuesit kanë filluar të mblidhen në sheshin ‘Skënderbej’. Siç shihet edhe në pamje veteranët e UÇK-së janë rreshtuar para memorialit, ku kanë nderuar heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Disa prej tyre mbajnë në duar edhe flamujt e UÇK-së. Ndërkohë në sheshin ‘Skënderbej’ kanë mbërritur edhe studentët nga kosova në mbështetje të ish-krerëve të UÇK. Sakaq, protesta pritet që të nisë në orën 17:00.
"Faleminderit Shqipëri. O Hashim ti ku je krejt studentët këtu i ke", brohorasin studentët nga Kosova.
Në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, protestës pritet t''i bashkohet edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, por edhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së.
Ndërkohë nga politika shqiptare, protestës pritet t'i bashkohen edhe deputetët e PS. Prej 3 prilli të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.
Gjithashtu një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin./M.K-dritare.net

















