Përkujtohet 106-vjetori i vrasjes së Selam Musait
Dritare.net

Anëtarë të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇ-it dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut (OKDA), zhvilluan sot një veprimtari përkujtimore pranë shtatores së Heroit të Popullit dhe Dëshmorit të Atdheut, Selam Musai, me rastin e 106-vjetorit të rënies së tij heroike.
Në veprimtari morën pjesë anëtarë dhe drejtues të organizatës bashkë me qytetarë. Fjalën e rastit e mbajti Xhevdet Shehu, i cili vlerësoi figurën dhe veprën e Selam Musait, duke nënvizuar kontributin e tij në mbrojtjen e vendit dhe mesazhet atdhetare që përcjell jeta dhe veprimtaria e tij për brezat.

Selam Musai lindi në fshatin Salari të Tepelenës, në një familje me tradita patriotike. Shtëpia e tij në Salari dhe stani në mal shërbyen si baza të rëndësishme për çetat patriotike shqiptare, ndër to edhe ato të Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos. Në dhjetor të vitit 1912, duke iu përgjigjur thirrjes së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës për mbrojtjen e vendit nga agresioni i forcave greke, ai u vu në krye të bashkëfshatarëve të tij dhe mori pjesë në luftime, ku edhe u plagos.
Edhe pse në moshën 60-vjeçare, Selam Musai u rreshtua sërish në mbrojtje të atdheut gjatë Luftës së Vlorës. Ai udhëhoqi bashkëfshatarët dhe luftëtarët e zonës në betejat kundër forcave italiane, duke marrë pjesë në sulmet ndaj garnizonit të Kotës. Pas shpartallimit të tij, Selam Musai dhe luftëtarët që e ndiqnin u përgatitën për përballjen me garnizonin e madh italian në Vlorë.
Më 11 qershor 1920, gjatë luftimeve në Qafën e Koçiut, Selam Musai ra dëshmor duke mbrojtur flamurin kombëtar. Pas kësaj ngjarjeje, ai u bë simbol i trimërisë, sakrificës dhe përkushtimit ndaj Shqipërisë.
Në emër të Kryesisë Kombëtare të OKDA-së përshëndeti Enver Reçi, sekretar i përgjithshëm i organizatës, i cili theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në veprimtari përkujtimore dhe edukative që mbajnë gjallë kujtesën historike dhe vlerat atdhetare.

Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit vendosën lule pranë shtatores së heroit në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën e tij. Veprimtaria u organizua nga Behar Spahiu, kryetar për Njësinë Administrative nr. 5 të Tiranës, dhe Gjinovefa Kadriu, kryetare e OKDA, Dega Tiranë./L.F-dritare.net