
Dita e Shën Valentinit simbolizon dashurinë, por për shumë njerëz ajo është edhe një kujtesë e dhimbjes së humbjes. Thyerja e zemrës është një përvojë pothuajse universale: studimet sugjerojnë se mbi 80% e njerëzve do të përjetojnë një ndarje të dhimbshme gjatë jetës. Por dhimbja emocionale nuk lidhet vetëm me fundin e një marrëdhënieje romantike – ajo mund të vijë edhe nga humbja e një miku, largimi i dikujt të dashur apo vdekja e një familjari.
Sipas psikiatrit dhe neuroshkencëtarit Yoram Yovell, dhimbja emocionale shpesh është përvoja më e fortë që një njeri mund të kujtojë. Në një intervistë për podkastin “Chasing Life” të gazetarit mjekësor të CNN, ai theksoi se njerëzit rrallë përmendin një aksident apo ndërhyrje kirurgjikale si momentin më të dhimbshëm të jetës së tyre – zakonisht përmendin humbjen e dikujt që e kanë dashur.
Kur dhimbja emocionale bëhet fizike
Thyerja e zemrës nuk është vetëm metaforë. Ajo mund të shoqërohet me ndjesi reale fizike: shtrëngim në kraharor, gulçim, nyje në stomak, pagjumësi apo lodhje të thellë. Sipas Yovell, mekanizmat e dhimbjes fizike dhe asaj emocionale në tru mbivendosen ndjeshëm. Studimet me rezonancë magnetike funksionale (fMRI) kanë treguar se zonat e trurit që aktivizohen gjatë një dëmtimi fizik aktivizohen edhe gjatë përjashtimit social apo ndarjes.
Në raste të rralla, stresi i fortë emocional mund të shkaktojë edhe kardiomiopatinë takotsubo, e njohur si “sindroma e zemrës së thyer” – një gjendje e përkohshme që imiton simptomat e një ataku në zemër.
Dhimbja si mekanizëm mbijetese
Sipas Yovell, dhimbja mendore është një lloj “superngjitësi” biologjik. Ajo ekziston për të na shtyrë të ruajmë lidhjet e rëndësishme me partnerët, fëmijët dhe komunitetin. Nga perspektiva evolutive, ankthi dhe trishtimi pas një ndarjeje shërbejnë si alarm për të mbrojtur marrëdhëniet jetike.
Ai thekson se stilet e lidhjes që krijohen në fëmijëri ndikojnë në mënyrën se si përjetojmë dashurinë dhe humbjen në moshë madhore. Personat me stil ankthioz të lidhjes mund ta përjetojnë ndarjen më intensivisht dhe me më shumë frikë nga braktisja.
Endorfinat: ilaçi natyral i trurit
Lajmi i mirë është se truri ka mekanizma për të lehtësuar dhimbjen. Endorfinat – kimikate natyrale që veprojnë si qetësues dhe përmirësues të humorit – lirohen kur jemi pranë njerëzve që na duan ose kur angazhohemi në aktivitet fizik.
Yovell rekomandon që personat që vuajnë nga ndarja të mos izolohen. Edhe pse instinkti mund të jetë të tërhiqen, lidhja me miqtë dhe familjen ndihmon në çlirimin e endorfinave dhe përshpejton procesin e shërimit. Edhe ushtrimet fizike kanë efekt të ngjashëm, duke stimuluar sistemet natyrale të trurit kundër dhimbjes.
A mund të trajtohet dhimbja emocionale me ilaçe?
Duke qenë se dhimbja fizike dhe ajo emocionale ndajnë mekanizma të përbashkët, disa studiues kanë eksploruar përdorimin e medikamenteve që ndikojnë në receptorët e dhimbjes. Disa studime sugjerojnë se qetësues të zakonshëm mund të zbusin lehtë dhimbjen emocionale. Në raste më të rënda, janë testuar doza shumë të ulëta të medikamenteve që veprojnë në sistemin opioid të trurit, por këto kërkojnë mbikëqyrje të rreptë mjekësore dhe nuk janë zgjidhje afatgjatë.
Megjithatë, Yovell paralajmëron se dhimbja akute ka një funksion: ajo na tregon se kujt i japim rëndësi dhe na pengon të marrim vendime impulsive. Problemi lind kur dhimbja bëhet kronike, çon në depresion ose mendime vetëlënduese – raste në të cilat kërkohet ndihmë profesionale.
Zemra shërohet
Edhe pse ndarja mund të ndihet si fundi i botës, shkenca dhe përvoja njerëzore tregojnë se shërimi është i mundur. Lidhjet e reja, mbështetja sociale dhe koha ndihmojnë në rindërtimin emocional.
“Zemra është e fortë,” thotë Yovell. “Ajo dhemb, por mund të shërohet. Dhe ka ende njerëz që ju duan.”
Në fund, dashuria mund të sjellë dhimbje – por për shumicën prej nesh, ajo mbetet një përvojë që ia vlen./L.F-dritare.net