OBSH i jep dritën jeshile vaksinave kundër mbipeshës!
Dritare.net

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar për herë të parë përdorimin e injeksioneve për humbjen e peshës si trajtim për obezitetin. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se obeziteti është një sëmundje kronike që mund të trajtohet me kujdes gjithëpërfshirës dhe afatgjatë.
Injeksionet, të njohura si terapitë GLP-1, imitojnë një hormon dhe rrisin lirimin e insulinës për të kontrolluar sheqerin në gjak dhe për të ulur oreksin. OBSH rekomandon përdorimin e tyre nga të rriturit (përjashtuar gratë shtatzëna) për trajtim afatgjatë, së bashku me dieta të shëndetshme dhe aktivitet fizik.
Sipas OBSH-së, mbi një miliard njerëz në botë preken nga obeziteti, dhe kjo shifër mund të arrijë dy miliardë deri në vitin 2030. Megjithatë, qasja mbetet një problem, pasi deri në atë vit, këto terapi pritet të arrijnë më pak se 10% të njerëzve që mund të përfitojnë.
Rekomandimi i fundit përfshin tri ilaçe: semaglutide (Ozempic dhe Wegovy), tirzepatide (Mounjaro dhe Zepbound) dhe liraglutide, një ilaç më i vjetër i së njëjtës klasë. OBSH planifikon të japë udhëzime edhe për trajtimin e obezitetit tek fëmijët dhe adoleshentët.
Përdorimi i këtyre injeksioneve në Mbretërinë e Bashkuar mbetet i kufizuar: vetëm disa qendra të shëndetësisë ofrojnë trajtimin, dhe pacientët që ndalojnë ilaçet duhet të marrin këshillim të strukturuar dhe mbështetje për të parandaluar rikthimin e peshës. Kjo përfshin monitorim të vazhdueshëm, krijimin e zakoneve të shëndetshme dhe mbështetje komunitare./K.C/dritare.net