Na ndiqni edhe në

Shëndet

Mjekët: Mos merrni melatoninë si ndihmë për gjumin!

Mjekët: Mos merrni melatoninë si ndihmë për gjumin!

Disa vite më parë, pediatria Dr. Judith Owens vuri re një model shqetësues, shumë prej pacientëve të saj janë fëmijë që kanë vështirësi me gjumin. “Ka pasur një ndryshim sizmik në numrin e pacientëve që shoh, veçanërisht tek ata të cilët tani marrin melatoninë.”

Dhe nuk janë vetëm fëmijët. Midis viteve 1999 dhe 2018, numri i të rriturve që marrin melatoninë e cila në SHBA shitet pa recetë si suplement është pesëfishuar. Shpesh marketohet si një ndihmës natyral për gjumin, gati si një vitaminë. Megjithatë, për shkak se klasifikohet si suplement dhe jo si ilaç, këto pretendime nuk kanë nevojë të vlerësohen nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave. Për më tepër, “Akademia Amerikane e Mjekësisë së Gjumit nuk e rekomandon melatoninën për pagjumësinë,” thotë Marie-Pierre St-Onge, drejtoreshë e Qendrës së Ekselencës për Kërkimin e Gjumi dhe Ritmeve Cirkadike në Universitetin Columbia.

Efektet e marrjes së hormonit çdo ditë për periudha të gjata kohore nuk kuptohen mirë. Në nëntor, rezultate paraprake dhe të papublikuara të raportuara në një takim të Shoqatës Amerikane të Zemrës gjetën një lidhje te të rriturit midis marrjes së melatoninës për më shumë se një vit dhe dështimit të zemrës. Edhe pse ky studim mund të jetë më pak informues për melatoninën sesa për lidhjen midis sëmundjes së zemrës dhe pagjumësisë, ai vë në pah faktin se dihet relativisht pak për përdorimin e melatoninës ashtu si po e përdor një numër gjithnjë e më i madh njerëzish.

Është një boshllëk që shqetëson shumë mjekë të gjumit, përfshirë Owens. “Është një hormon që ka shumë efekte të fuqishme,” thotë ajo.

Çfarë bën melatonina

Në mbrëmje, trupi juaj fillon të prodhojë melatoninë, e cila prodhohet kryesisht nga gjëndra pineale. Nivelet e melatoninës arrijnë kulmin në mëngjes herët dhe bien pas lindjes së diellit.

Pasi të jetë shpërndarë në sistem, melatonina ndikon në shumë më tepër sesa gjumin. Para disa dekadash, shkencëtarët u habitën kur zbuluan se ajo rregullon sistemin imunitar, duke rritur dhe ulur forma të ndryshme inflamacioni. Mungesa e melatoninës çon në rritjen e akumulimit të yndyrës në mëlçinë e minjve. Ka prova që inde të tjera përveç gjëndrës pineale, përfshirë palcën e eshtrave, prodhojnë vetë melatoninë, dhe lista e qelizave që kanë receptorë për melatoninën është tepër e gjerë. Hormoni duket gjithashtu se ndihmon në drejtimin e vdekjes së qelizave, ndaj shkencëtarët janë kuriozë për rolin e tij në plakjen në përgjithësi.

Studime të kujdesshme të melatoninës dhe metabolitëve të saj në gjakun dhe urinën e njerëzve kanë zbuluar se ka një numër çrregullimesh ku nivelet e saj janë të çrregulluara, përfshirë depresionin, skizofreninë, çrregullimin bipolar, diabetin tip 2 dhe disa lloje kanceresh. Disa njerëz me Alzheimer mund të kenë shumë pak luhatje ditore të melatoninës, ndoshta duke kontribuar në vështirësitë e gjumit që janë karakteristike të sëmundjes neurodegjenerative.

Mjekët: Mos merrni melatoninë si ndihmë për gjumin!

Marrja e melatoninës sipas rekomandimit të mjekut mund të jetë e dobishme për njerëzit në këto situata. Studimet kanë treguar gjithashtu se njerëzit e verbër, ritmet natyrore të gjumit të të cilëve prishen, mund të përfitojnë nga suplementimi. Fëmijët me autizëm mund të përfitojnë gjithashtu kur u përshkruhet melatonina, thotë Owens. Ajo është eksploruar edhe si terapi potenciale pas atakut të zemrës, thotë Dr. Tom Scammell, profesor neurologjie në Harvard dhe mjek në Beth Israel Deaconess Medical Center.

Si po e përdorin njerëzit realisht melatoninën

Ekziston një hendek i madh midis mënyrës se si studiuesit dhe mjekët e shohin melatoninën dhe mënyrës se si e përdorin shumë njerëz. Për të gjurmuar lidhjet midis përdorimit afatgjatë të melatoninës dhe kushteve të tjera shëndetësore, disa studiues kanë përdorur të dhëna elektronike mjekësore. Më 3 nëntor, një përmbledhje nga një takim i Shoqatës Amerikane të Zemrës përshkroi një studim të papublikuar që përfshinte disa rezultate tronditëse, gjatë pesë viteve, të rriturit të cilëve u ishte përshkruar melatoninë dhe e kishin marrë për një vit ose më shumë kishin 90% rrezik më të lartë për atak në zemër sesa njerëzit me status të ngjashëm shëndetësor që nuk merrnin melatoninë.

“Suplementet e melatoninës mund të mos jenë aq të padëmshme sa mendohet zakonisht. Nëse studimi ynë konfirmohet, kjo mund të ndikojë se si mjekët këshillojnë pacientët për ndihmuesit e gjumit,” tha Dr. Ekenedilichukwu Nnadi, autori kryesor.

Megjithatë, nuk është e thënë që melatonina të ketë shkaktuar dështimin e zemrës. Në fakt, siç vëren Scammell, pagjumësia dhe sëmundja e zemrës shpesh ecin bashkë, me 50% të njerëzve me dështim të zemrës që kanë pagjumësi, krahasuar me 15% të popullatës së përgjithshme. Pra njerëzit që kanë pagjumësi dhe marrin melatoninë mund të kenë qenë tashmë në rrugën drejt problemeve më serioze të zemrës.

“Është e mundur që gjumi i dobët që shkaktoi përdorimin e melatoninës të ketë qenë shenjë e hershme e problemeve të zemrës,” thotë Scammell. Por doza duhet llogaritur me kujdes dhe pacientët duhen monitoruar. Si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët, marrja e shumë melatonine mund të prishë ritmet cirkadike, duke përkeqësuar gjumin ose duke shkaktuar efekte të tjera. Në Mbretërinë e Bashkuar, melatonina merret vetëm me recetë dhe për periudha të shkurtra.

Nëse keni probleme me gjumin, një zgjedhje më e mirë, është të ndryshoni sjelljet rreth orarit të gjumit. Terapia njohëse e sjelljes për pagjumësinë (CBT-I) është trajtimi më i efektshëm si për fëmijë ashtu edhe për të rritur. Studimet tregojnë se kjo qasje që përfshin disa etapa për t’ju ndihmuar të përmirësoni gjumin ka efekt më të gjatë dhe më të mirë sesa çdo pilulë gjumi./dritare.net