Nuk është dieta. Sekreti i mjekut 100 vjeç, që luan tenis si një djalë i ri!
Dritare.net

Pietro Pasqualini është thuajse 100 vjeç, por jeta e tij e përditshme ngjan më shumë me atë të një njeriu shumë më të ri. Dy herë në javë, të martën dhe të premten në mëngjes, ai hipën në makinë dhe shkon të luajë tenis në Circolo Tennis di Caselle, pranë Veronës. Jo si shëtitje simbolike, por si aktivitet i vërtetë sportiv, që e mban në formë fizike dhe mendore.
Sekreti i tij nuk qëndron te dieta strikte apo regjimet e veçanta shëndetësore. “Nuk ndjek asnjë dietë sportive,” thotë ai. “Ha atë që më pëlqen.” Por një element është i pandryshueshëm: gjumi. Pasqualini fle rregullisht rreth dhjetë orë në natë, një zakon që e ka ruajtur ndër vite dhe që ai e konsideron thelbësor për shëndetin e tij. Vetëm ndonjëherë e prish këtë rutinë, kur rri zgjuar pak më gjatë për të luajtur shah kundër kompjuterit, një tjetër ushtrim i rëndësishëm për trurin.
Edhe autonomia është pjesë e stilit të tij të jetesës. Edhe pse jeton vetëm, ai kujdeset vetë për gjithçka. “Më pëlqen të gatuaj,” thotë. “Është një moment relaksi.” Gatimi, për të, nuk është detyrim, por mënyrë për të qëndruar aktiv dhe i përqendruar, duke ushtruar durimin dhe kreativitetin.
Lëvizja e rregullt ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së tij. Edhe pse tenisin e ka nisur rreth të dyzetave, sot ai vazhdon të stërvitet pa e tepruar, por me vazhdimësi. Nuk e ka ndjekur kurrë teknologjinë apo modën e pajisjeve sportive, duke besuar se “më shumë rëndësi ka krahu sesa raketa”. Kjo qasje e thjeshtë, pa obsesione, e ka ndihmuar të shmangë lodhjen dhe dëmtimet.
Si mjek familjeje për shumë vite, Pasqualini e ka njohur nga afër trupin e njeriut dhe kufijtë e tij. Ai beson te ekuilibri: aktivitet fizik i moderuar, pushim i mjaftueshëm dhe një mendje e mbajtur gjallë. Tenisi, shahu, drejtimi i makinës dhe jeta sociale në klub janë pjesë e një rutine që e mban të lidhur me botën.
Në prag të 100 viteve, Pietro Pasqualini nuk flet për sekrete magjike, por për zakone të thjeshta: lëviz çdo javë, fle shumë, ha pa stres dhe ruan kuriozitetin. Ndoshta pikërisht kjo normalitet i qëndrueshëm është çelësi i një jete të gjatë dhe të shëndetshme./L.F-dritare.net