Na ndiqni edhe në

Shëndet

Shëndeti i zorrëve po vendos trendin e ri të ushqimit

Shëndeti i zorrëve po vendos trendin e ri të ushqimit

Pas shumë viteve ku proteina dhe hidratimi dominuan bisedat për ushqimin e shëndetshëm, një lëndë ushqyese tjetër po del fuqishëm në skenë: fibra. Veçanërisht brezi i ri, Gen Z, po e shtyn këtë trend përpara, duke e kthyer në një fenomen viral në rrjetet sociale si TikTok.

Interesi i shtuar për shëndetin e zorrëve, tretjen dhe mirëqenien e përgjithshme po i bën konsumatorët të kërkojnë ushqime me përmbajtje sa më të lartë fibrash. Sipas ekspertëve të industrisë, kjo nuk është thjesht një modë kalimtare, por një vazhdim logjik i trendeve të mëparshme të mirëqenies.

Pse fibra po bëhet kaq e rëndësishme?

Studimet tregojnë se shumica e amerikanëve nuk marrin sasinë e rekomanduar ditore të fibrave — rreth 25 gramë për gratë dhe 30–35 gramë për burrat. Fibra ndihmon tretjen, stabilizon sheqerin në gjak dhe lidhet me përfitime të tjera si shëndeti i lëkurës dhe funksioni kognitiv.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se fibra nxit prodhimin natyror të hormonit GLP-1 në trup, i cili lidhet me ndjesinë e ngopjes — i njëjti hormon që imitohet nga disa ilaçe të njohura për humbje peshe.

Si po reagon industria ushqimore?

Kompanitë e mëdha ushqimore po lëvizin shpejt për të përfituar nga ky interes i ri. Nga pijet me fibra të shtuara, tek snack-et, drithërat dhe produktet e gatshme.

Edhe zinxhirët e ushqimit të shpejtë dhe markat private të supermarketeve po eksplorojnë produkte me fibra, shpesh me çmime më të përballueshme se markat premium. Sipas analistëve, snack-et me bazë bishtajore — si qiqrat dhe fasulet — pritet të jenë fusha kryesore e konkurrencës.

Megjithatë, shija mbetet vendimtare. Konsumatorët janë të gatshëm të paguajnë pak më shumë për ushqime më të shëndetshme, por jo nëse komprometohet shija.

A është ky trend vërtet i shëndetshëm?

Dietologët bien dakord se rritja e marrjes së fibrave është përgjithësisht pozitive. Megjithatë, ata paralajmërojnë se produktet e përpunuara me fibra të shtuara nuk duhet të zëvendësojnë ushqimet natyrale.

Udhëzimet e reja dietike rekomandojnë fokus te “ushqimi i vërtetë”: perime, fruta, drithëra integrale dhe bishtajore. Shumë nga burimet më të mira të fibrave nuk kanë fare etiketa ushqimore — ato gjenden të freskëta në sektorin e frutave dhe perimeve.

Siç thonë disa specialistë të ushqyerjes: një pjatë e mbushur me perime çdo ditë vlen më shumë se çdo trend viral./L.F-dritare.net