Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Letër për Rudinën!

Letër për Rudinën!

Përshëndetje zonja Xhunga!

Emri im është Edmond Cela. Jam një ndjekës i rregullt i emisioneve tuaja dhe ato të zotit Hila. Në katrahurën e portaleve shqiptare, Dritare është e vetmja ku unë gjej veten. Më pëlqejnë intervistat me personalitete të njohura që trajtojnë probleme të ndryshme historike, ekonomike, politike por edhe intervistat me njerëzit e thjeshtë të cilët tregojnë kalvarin e jetës së tyre.

Edhe unë kisha shumë dëshirë të tregoja diçka nga jeta ime 33 vjeçare në kurbet. 23 vjet në Itali dhe 10 vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por këtë radhë dua të tregoj një eksperiencë shumë të hidhur që kaloi vajza ime Vanessa, mbesa ime dhe mikesha e vajzës time me origjinë Nepalese. Vajzat kaluan shumë mirë në ato dy javë që qëndruan në Shqipëri bilës me dëshirën që të kthehen përsëri vitin tjetër.

Por me atë trajtim çnjerëzor që patën nga një oficer i doganës në Rinas, ua hoqi dëshirën e rikthimit në Shqipëri. Dhe për këtë më vjen shumë keq. Vajzat erdhën në Shqipëri me itinerarin Uashington DC - Shtutgard- Tiranë. Dhe kthimin e kishin Tiranë Shtutgard-Barcellon- Uashington DC. Transiti ishte i njëjtë ku dua të precizoj Shtutgardin. Dua të shpjegoj që vajza Nepalese, Nagma, nuk është pajisur akoma me pasaportë amerikane por ka green card me të cilën ajo mund të udhëtojë pa problem në Komunitetin Europian. Theksoj që vajzat ishin informuar shumë mirë përpara se të niseshin për itinerarin që do ndiqnin. Vajza dhe mbesa ime kaluan pa problem në doganën shqiptare. Në momentin që do kalonte Nagma oficeri doganës nuk e lejonte duke nxjerrë arsyen që ajo nuk mund të kalonte transit ne Shtutgard. Por problemi nuk ishte ky , problemi ishte mënyra e trajtimit qe ky person i bëri Nagmes. Jo vetëm që nuk i dha as ndihmën më të vogël, por e trajtoi në një mënyrë çnjerëzore. Vajzat filluan të qanin dhe të kërkonin shpjegim. Vajza ime shkoi te zyra e informacionit por asnjë nuk ndodhej në atë moment aty. Ky person që nuk mund ta quaj me oficer kur Nagma i kërkonte sqarim, arriti deri atje sa ta kapte me dorë dhe i qëlloi tek streha e kapelës duke i thënë më shiko në sy kur flet me mua. Jo vetëm që i bërtiste vajzave si atyre që kaluan duke u thënë që mos të rrinin aty se kjo nuk ka për të kaluar këtu ashtu edhe Nagmes, e cila pa një trajtim racist në drejtimin e saj.

Dhe në fund duke mos mjaftuar për atë që bëri në sportel e kapi Nagmen prej krahu dhe duke i bërtitur i tha që të merrte valixhet dhe të dilte nga aeroporti sepse ajo nuk kishte të drejtë të qëndronte në aeroport. Çfarë mund të bënte një vajze e vetme në një shtet ku nuk dinte asgjë gjë, dhe mbi të gjitha ishte pa lekë se ato i mbante vajza ime. Por njerëzit e mirë ndodhen kudo. Zonja e shtëpisë ku vajzat qëndruan me qira, sa e mori vesh u kujdes menjëherë për marrjen nga aeroporti dhe kthimi në Tiranë. Ajo zonjë vërtet u kujdes për çdo gjë sikur ta kishte vajzën e saj.

Vajza ime nga stresi u ndje aq keq sa kur zbriti në Shtutgard personeli i aeroportit dhe policia gjermane thirrën ambulancën dhe vajza ime qëndroi 24 orë në spital për kontrollet e nevojshme.

Problemi tjetër ishte me mbesën time, Aurora, e cila është minorele dhe ngeli vetëm në aeroportin e Shtutgardit, pa lekë dhe më e keqja humbi pasaportat. Duhet të ishit në vendin tonë ta kuptoni stresin që kemi kaluar. Unë me burrin e motrës, babain e Aurorës u përgatitëm të niseshim për Shtutgard.

Por përsëri njerëzit e mirë ndodhen kudo. Policia gjermane jo vetëm që u kujdes për gjithçka për Aurorën, por bënë të pamundurën për gjetjen e pasaportave.

Mbas 24 orësh situata u qetësua, Vanessa u bë mirë, Aurora pati trajtim të veçantë nga policia gjermane, pasaportat u gjetën dhe Nagma u kthye në Amerikë me transit nga Riadi. Nuk dua të denigroj policinë shqiptare por një individ i tillë nuk meriton të qëndrojë në radhët e saj. Unë këtë ngjarje do të vazhdoj ta kërkoj në organet kompetente. Ju shkrova sepse e di që jeni gazetare shumë aktive dhe kërkoni që raste të tilla mos të ndodhin në vendin tonë të mrekullueshëm. Ju uroj gjithë të mirat në punën tuaj fisnike./dritare.net