
Nga Bardhyl Reso
Reflektim për shkrimin e Z. Bn Blushi “Jam përpjekur ta gjej Zotin, por s'kam mundur"!
Nuk jam besimtar, nuk jam shkencëtar dhe aq më pak filozof, por kureshtja se kush jemi, si kemi ardhur e ku po shkojmë ka qenë një shoqëruese e fëmijërisë, rinisë dhe vazhdon të mos më ndahet as në pleqëri. Fëmijërinë e kam kaluar shpesh pranë gjyshërve dhe dëgjoja me interes bisedat e prejardhjes sonë, krijimit të kombit shqiptar e duke u rritur fillova të lexoja më shumë edhe për popujt e tjerë e vendet e tjera të Europës e botës mbarë. Megjithëse i detyruar të studioja shkencat teknike, asnjëherë nuk kam reshtur së gërmuari historira mbi natyrën njerëzore, mbi fatet historike të popujve, veçanërisht të Shqipërisë duke mos pushuar së kërkuari, përse ndodhi kjo ngjarje?
Përse nuk ndodhi sipas logjikës? Kush na drejton në të vërtetë? Kush është e vërteta e kësaj bote? Përgjithësisht mbërrij në të njëjtin konkluzion të thjeshtë: mendja njerëzore! Mendja njerëzore që nuk ka as masë dhe as kufij. Nuk mund të analizoj mijëra e mijëra vite që u janë dashur paraardhësve tanë për t’u bashkuar apo për t’u veçuar. Për të krijuar bashkësi a grupe , për të luftuar për të patur më shumë a për të zotëruar jetët dhe përkatësitë e të tjerëve, por mund të them se elementet bazë që i duhen trurit për të mbijetuar dhe grabitur nuk janë shumë ndryshe nga sot.
Duke mos u zgjatur në historinë e krijimit të shteteve antike dhe zhvillimin shoqëror e mendor deri më sot, në epokën e atomit, lazerit, fluturimeve kozmike, teknologjinë që transformohet në mënyrë gati marramendëse, ndryshimet globale e gjeopolitike, përsëri më çojnë para një krijuesi të vetëm: mendja njerëzore! Truri i filozofëve, shkencëtarëve, besimtarëve, klerikëve dhe pushtetarëve të antikitetit nuk më duket aspak i ndryshëm nga ai që posedojnë po këta njerëz sot.
Mendja njerëzore që krijoi filozofinë helene, egjiptiane, aziatike, krijoi më pas atë gjermane, franceze, angleze, amerikane etj. Kjo ecuri mendore më bind se nuk mund të jetë ndryshe as për nocionin, Zot, Perëndi, Allah, Jehovah etj., ndjekësit e të cilëve i atribojnë krijimin e gjithësisë.
Në fillim besohej në shumë perëndi. Mendja njerëzore e kuptoi se nuk mund të vazhdohej më në atë hulli legjendash dhe krijoi besimin monoteist si më bindës e më të manovrueshëm për të ndërtuar më me lehtësi pushtete të reja sipas interesave personale apo tribale. Njerëzimi që në gjenezën e tij ka trashëguar disa veçori-instikte siç janë dëshira për të pasur më shumë-pasuruar, për të udhëhequr- pushteti, për t’u imponuar- luftërat. Çfarë ka ndryshuar?
Sigurisht, shkalla e këtyre veçorive është e ndryshme në individë të ndryshëm dhe si rrjedhojë mendja njerëzore vepron ndryshe në njerëz të ndryshëm. Ka mendje të ndritura që i kanë sjellë njerëzimit mrekullia siç ka mendje djallëzore që kanë sjellë vuajtje dhe shkatërrime. Qëllimet e individëve të veçantë apo pushtetarëve janë po ato si para njëqind vjetëve apo, mijëra viteve të shkuara.
Intrigat, shpifjet, lufta për pushtet, korrupsioni, janë po ato. Mund të ketë elemente më sofistikuese, por thelbi është, në mënyrë të pamohueshme, i njëjti.
Luftërat kanë qenë dhe mbeten bashkudhëtare të njerëzimit. Të gjithë i kritikojmë, shumë i justifikojnë e më pas i lutemi Zotit imagjinar të na shpëtojë nga ajo ç’kemi krijuar vetë. Ndërkohë kjo botë ndryshon. Mendja njerëzore ka hapur kufij dhe ka arritur në nivele që as mund të konceptoheshin njëqind vite të shkuara. Mendja njerëzore po përgatitet të transferojë jetën në planete të tjera. Mendja që krijoi nocionin e
Zotit si krijues të njeriut, shumë shpejt po rikrijon vetveten. Shkenca gjenetike po shkon drejt kllonimit të njeriut. Mendja njerëzore po krijon Zotin e vërtetë, pra, po krijon vetveten. Ndaj hamendjeve filozofike se cili është Zoti, si mund ta prekim, ta dëgjojmë, ta shohim, ndryshe nga Zt. Blushi, unë i përgjigjem me bindje: Zoti jemi ne. Ne jemi ata që mbajmë fatet tona dhe të njeri-tjetrit në duart tona. Ne ndërtojmë, shkatërrojmë e sërish krijojme, vende, shtete, shkence, ekonomi. Ne krijojmë gjakderdhje, hakmarrje, ne falim dhe ne jemi të aftë të sjellim paqe dhe prosperitet. Ne mund të begatojmë jetën personale po ashtu atë të mbarë kombit. Ne e njohim dhe dimë ta vlerësojmë progresin apo regresin, sepse vetëm mendja njerëzore është Zoti që dirigjon jetën tonë./dritare.net

















