Na ndiqni edhe në

Shqip

Dashuria e ndaluar me çoi në Greqi! Flet Valentina Kurcani!

Dashuria e ndaluar me çoi në Greqi! Flet Valentina Kurcani!
Sot në emisionin "Shqip nga Rudina Xhunga" në DritareTV, u rrëfye një histori e rrallë, e mbushur me dhimbje, dashuri, sakrificë dhe shpresë. Valentina Kurcani, ndau me publikun një jetë të tërë përjetimesh, që përfaqëson historinë e mijëra emigrantëve shqiptarë, por edhe fuqinë e një gruaje që nuk u dorëzua kurrë.

Një dashuri e fortë dhe një vendim i guximshëm
Historia e Valentinës nis në Shqipërinë e viteve të fundit të komunizmit, ku ajo ishte një vajzë e re, e dashuruar thellë. Në një kohë kur mentaliteti ishte i ashpër dhe prindërit vendosnin për fatin e fëmijëve, ajo mbeti shtatzënë dhe vendosi ta mbante fëmijën dhe ta rriste vetë, me prindërit e saj. Ishte një vendim i guximshëm, që kërkonte forcë dhe sakrificë. Ajo e lindi vajzën dhe ia vuri emrin Ilira, simbol i lirisë dhe i shpresës për një jetë më të mirë.

“Vajza ime është dashuria ime më e madhe. Ajo ishte arsyeja që unë nuk u dorëzova kurrë,” rrëfen Valentina me emocion.

Dashuria e ndaluar me çoi në Greqi! Flet Valentina Kurcani!

Emigrimi, një rrugëtim drejt së panjohurës
Në moshën 28-vjeçare, Valentina mori një vendim të madh: të emigronte në Greqi. Si shumë shqiptarë të asaj kohe, ajo nuk dinte gjuhën, nuk kishte siguri dhe asnjë garanci për të ardhmen. Ajo e filloi nga puna më e vështirë, pastrime, fabrika, punë fizike. Por nuk u ankua. E bëri me dinjitet dhe me një qëllim: të ndërtonte një të ardhme më të mirë për vajzën e saj, që e kishte lënë me prindërit në Shqipëri.

“Ne që emigruam në vitet ‘90 ishim luftëtarë. Nuk dinim gjuhën, nuk dinim ku po shkonim, por kishim vetëm një gjë, shpresën.” thotë ajo.

Dashuria e ndaluar me çoi në Greqi! Flet Valentina Kurcani!

Dashuria e dytë dhe një familje e re
Në Greqi, Valentina njohu bashkëshortin e saj grek, Dhimitrin. Ishte një dashuri e qetë, e ndërtuar mbi respekt dhe mirëkuptim. Ajo pranon se nuk donte të dashuronte më, sepse ruante kujtimin e dashurisë së parë, por Dhimitri ia fitoi zemrën me dashurinë që tregoi për vajzën e saj.

“Dhimitri më deshi mua dhe vajzën time pa kushte. Ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm,” kujton ajo. Nga kjo martesë lindi një djalë, Kostandini, një tjetër dhuratë e jetës që i solli lumturi familjes.

Por lumturia nuk zgjati shumë. Dhimitri ndërroi jetë kur djali ishte vetëm pesë vjeç. Valentina mbeti sërish vetëm, por këtë herë me dy fëmijë për të rritur.

Dashuria e ndaluar me çoi në Greqi! Flet Valentina Kurcani!

Beteja më e madhe, përballja me leuçeminë
Në moshën 50-vjeçare, Valentina u përball me sfidën më të madhe të jetës: leuçemi akute. Ajo kaloi 9 muaj në izolim total, mes jetës dhe vdekjes. Ishte vetëm. Bashkëshorti kishte vdekur, djali ishte i vogël, vajza larg. Por ajo nuk u dorëzua.

“Në spitalin grek më bënë eksperiment, por ama më shpëtuan jetën. Ishte periudha më e vështirë, por edhe momenti kur kuptova sa e fortë jam.”, rrëfen ajo.

Pas daljes nga spitali, Valentina nuk mund të ecte. Ishte në karrocë. Por me vullnet të jashtëzakonshëm, ajo arriti të rimarrë jetën në duart e saj.

Dashuria e ndaluar me çoi në Greqi! Flet Valentina Kurcani!

Një nënë e përkushtuar dhe një gjyshe e lumtur
Sot, fëmijët e Valentinës jetojnë në Kanada. Vajza e saj është nënë e katër fëmijëve, ndërsa djali ka ndërtuar jetën e tij me sukses. Edhe pse larg, dashuria e tyre mbetet e fortë.

“Kam bërë maksimumin për fëmijët e mi në kushte shumë të vështira. Sot jam krenare për ta,” thotë ajo.

Valentina jeton mes Shqipërisë, Greqisë dhe Kanadasë, duke shijuar rolin e gjyshes dhe duke falënderuar jetën për çdo ditë.

Dashuria e ndaluar me çoi në Greqi! Flet Valentina Kurcani!

Mesazhi i saj për jetën
Në fund të rrëfimit, Valentina përcolli një mesazh të fuqishëm:

“Jeta është shumë e shkurtër për urrejtje. Duhet të jetojmë me dashuri. Dashuria më ka mbajtur gjallë.”

Historia e saj është historia e një gruaje që sfidoi paragjykimet, emigrimin, humbjet dhe sëmundjen, por që mbeti gjithmonë e fortë, e dashur dhe e buzëqeshur. Një histori që frymëzon, emocionon dhe na kujton se pas çdo njeriu fshihet një jetë e madhe, e mbushur me sakrifica, por edhe me shpresë./dritare.net