Na ndiqni edhe në

Shqip

Rrëfimi i jashtëzakonshëm i Maksimit: Si u fshehëm në tavanin e trenit për të shkuar në Gjermani!

Rrëfimi i jashtëzakonshëm i Maksimit: Si u fshehëm në

Në “Shqip” me Rudina Xhungën, i ftuar ka qenë një emigrant shqiptar, Maksim Shaholli, i cili ka treguar historinë e tij të veçantë. Një histori, e cila nis dhimbshëm si e shumë djemve të rinj shqiptarë, që lanë vendin, ca nga mali e ca me gomone e varka në kërkim të një jete më të mirë, të një toke që ofronte më shumë se Shqipëria.

Udhëtimi i parë për në Itali ishte me një peshkarexhë dhe duhet të paguaja 1300 dollarë. Kam shkuar tek vëllai im në Savona dhe aty kam ndenjur rreth 20 muaj.

Gjatë këtyre muajve tentova të bëja letrat që të jetoja legalisht. Isha 18 vjeç kur shkova në Itali. Vendosëm ta lëmë dhe Italinë. Nga aty marrim trenin për në Milano, atje ku laheshin trenat futemi në tavanin e trenit, në fund të vagonit është një si dritare e vogël, në atë pjesë ishte kjo dritare e vogël dhe jemi fshehur deri në Frankfurt. Ishim katër persona.

Dinim që vetëm do shkonim në Gjermani. Ishim të veshur mirë, por atje ishte vetëm blozë tek ajo pjesë e trenit. Kishim dhe lekë me vete të katërt. Unë kisha nja 1 milion lireta, ca i dërgonim familjes ca i mbanim për vete. Në Gjermani marrim një tren tjetër dhe vemi në Mainzë. Ulemi në qendër, mbaj mend ka qenë një lokal portugez, se nuk e di sa orë kishim pa ngrënë. Mirëpo ne dukeshim si barbonë dhe gjëja e parë që bëmë shkuam në banjë për t’u larë. Ata u habitën, thanë çfarë janë këta. Vjen kamarieri dhe na thotë më vjen keq nuk u shërbejmë dot. U detyruam të katërt nxorrëm lekët mbi tavolinë dhe i thamë në duam të hamë diçka. Ai u shtang dhe tha ok. Na sollën për të ngrënë. Pasi hëngrëm vajtëm të kalonim darkën në disko. Ky ishte ndalimi i parë në Gjermani, pastaj ishim në kampet e mikpritjes. Por ne nuk kishim asnjë lloj dokumenti me vete. U regjistruam si qytetar të Kosovës, por pa ndryshuar emrin në Këln. Pastaj ikëm dhe andej.

Ndalesa e fundit në Gjermani ka qenë në një fshat të vogël. Aty kishte shumë shqiptar të Kosovës. Na trajtonin shumë mirë, por si pemë pa fruta, duhet të mohosh vetveten dhe të presësh qiqra në hell. Që aty u nisëm drejt Hollandës. Iknim kuturu, në tym, sepse presioni psikologjik ishte i jashtëzakonshëm. Ne na dukej habi si futeshe nga një shtet në shtetin tjetër aq lehtë në kufi. Në Hollande na drejtojnë nëpër qendrat e emigrantëve.", ka rrëfyer Maksim Shaholli në Dritare Tv.