
O Hashim ti ku je krejt Drenicën këtu e ke! Nis tubimi për UÇK-në
Dritare.net
Me qindra qytetarë janë mbledhur që tani në sheshin “Skëndërbej” për protestën që mbahet në orën 17.00 në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së të paraburgosur në Hagë. Qindra protestues me flamujt kuqezi dhe flamujt e UÇK-së erdhën Kosova drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës me moton “Liria ka emër” që organizohet nga veteranët e UÇK-së.
Në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, protestës pritet t''i bashkohet edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, por edhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së. Eskorta e presidentes Vjosa Osmani u pa duke kaluar në kufi por Report Tv mësoi se ka mbërritur në Tiranë për një vizitë dhe më pas do largohet drejt Prishtinës.
Nga politika shqiptare, protestës pritet t'i bashkohen edhe deputetët e PS, ndërsa PD ka refuzuar të marrë pjesë. I vetmi që i ka dalë nga “rreshti” Sali Berishës, ishte Fatmir Mediu, që në seancë e djeshme plenare tha se do të jetë i pranishëm në protestë.
Për mbarëvajtjen e protestës do të bllokohet për 2 orë qarkullimi tek Bulevardi i Ri, nga ora 17:00 deri rreth orës 19:00, pasi do të parkohen mjetet e protestuesve./M.K-dritare.net

















