Gjaku në shkallët e shtëpisë! Rrëfimi i masakrës së Çamërisë nga mbesa e të mbijetuarve
Dritare.net

Çështja Çame nuk është thjesht një term gjeopolitik apo historik; ajo është një plagë e hapur e mijëra familjeve shqiptare. Për Luela Myftarin, kjo plagë është pjesë e ADN-së së saj. Me origjinë nga Paramithia, zemra e tragjedisë çame, ajo solli në studion e 'Dekalog nga Roland Qafoku dëshmitë e gjalla të masakrës së vitit 1944, të transmetuara nga gjyshja dhe babai i saj.
Historia nis me një pabesi. Burrat e Paramithisë, paria e vendit, u thirrën në një mbledhje në shkollën e qytetit për të diskutuar dorëzimin e armëve dhe administrimin e komunës. Ata shkuan të paarmatosur, duke besuar në një zgjidhje paqësore. Por, siç tregon Luela, ata nuk dolën më kurrë që andej. Forcat e Napolon Zervës i ekzekutuan brenda ambienteve të shkollës. Kjo ishte vetëm preludi i terrorit.
Myftari përshkroi me detaje makabre momentin kur ushtarët grekë hynë në shtëpinë e stërgjyshit të saj në orën 5 të mëngjesit. Burrat, përfshirë stërgjyshin dhe vëllain 26-vjeçar të gjyshes së saj, u nxorën nga dhomat dhe u ekzekutuan në shkallët e shtëpisë, para syve të grave dhe fëmijëve.
"Gjyshja ime mban mend që vëllai i saj ishte i fundit që zbriti dhe u vra në shkallë." thotë Luela. Pas ekzekutimeve, pasoi plaçkitja dhe dhuna ndaj grave. Ushtarët u shkulnin vathët nga veshët grave çame me forcë, duke u lënë shenja të përjetshme fizike dhe shpirtërore. Arratisja drejt Shqipërisë ishte një kalvar tjetër, ku shumë humbën jetën rrugës, ndërsa të tjerë u hodhën në humonera sepse nuk mund të ecnin dot me hapin e karvanit. Ky rrëfim i detajuar shërben si një dokument i rëndësishëm i kujtesës kolektive, duke sjellë në vëmendje brutalitetin e një gjenocidi që shpesh është tentuar të harrohet apo të mbulohet./K.C/dritare.net
