Na ndiqni edhe në

Emisionet

Avokati i Metës: Ju tregoj gjyqin e shekullit!

Avokati i Metës: Ju tregoj gjyqin e shekullit!

Avokati Kujtim Cakrani deklaroi në emisionin “Intervista e Ditës” në DritareTV se seanca paraprake në GJKKO për ish-presidentin Ilir Meta është shtyrë për datën 29 janar, për shkak të volumit të madh të materialeve të paraqitura nga prokuroria.

“Kërkesa e prokurorëve për kalimin e çështjes në gjyq është mbi 214 faqe dhe dje u lexuan vetëm 41 faqe. Ishte e pamundur të përfundohej relatimi në një seancë të vetme”, tha Cakrani, duke shtuar se seancat për Metën do të zhvillohen çdo të enjte në orën 10:00.

Ai theksoi se seanca e fundit ka qenë e tensionuar dhe me debate të forta mes mbrojtjes dhe prokurorisë. “Prokurorët kanë relatuar fakte që nuk ekzistojnë në dosjen gjyqësore prej rreth 70 mijë faqesh që na është vënë në dispozicion”, u shpreh avokati.

Cakrani bëri të ditur se gjatë seancës ka pasur edhe një përplasje me një prokuror: “Një nga prokurorët kërcënoi kolegun tim, çka më detyroi t’i kërkoja gjyqtares ndërprerjen e seancës dhe marrjen e masave ndaj tij.”

Ai shtoi se procesi nuk pritet të përfundojë as në seancën e 29 janarit. “Ky është gjyqi i shekullit. Është një çështje me dinamikë të gjerë dhe me përplasje të forta procedurale mes avokatëve dhe prokurorëve”, tha Cakrani.

Sa i përket akuzave ndaj ish-presidentit Meta, avokati u shpreh i bindur se ato nuk mbështeten në prova. “Kjo është një akuzë e montuar keq dhe, ashtu siç është montuar keq, ashtu do ta zhbëjmë. Prokuroria nuk ka paraqitur as sot një listë konkrete provash”, paralajmëroi Cakrani, duke nënvizuar se mbrojtja do të kërkojë pushimin e çështjes./K.C/dritare.net