
Presidenti amerikan Donald Trump ka vënë sërish në pikëpyetje gatishmërinë e aleatëve të NATO-s për të mbështetur Shtetet e Bashkuara në rast nevoje, duke deklaruar se trupat e aleancës “qëndruan pak më prapa” nga vijat e frontit gjatë luftës në Afganistan.
Në një intervistë për Fox News, dhënë nga Davosi i Zvicrës, Trump u shpreh skeptik mbi zbatimin real të parimit të mbrojtjes kolektive të NATO-s. “Gjithmonë kam pyetur veten: a do të ishin ata aty, nëse ne do të kishim nevojë? Nuk jam i sigurt për këtë,” tha ai.
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, SHBA ishte vendi i parë dhe deri tani i vetmi që aktivizoi Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Për rreth 20 vite, trupat e NATO-s dhe vendeve partnere luftuan përkrah forcave amerikane në Afganistan, megjithatë Trump ka minimizuar vazhdimisht kontributin e tyre.
Deklaratat e presidentit amerikan kanë shkaktuar reagime të forta mes aleatëve të SHBA-së, veçanërisht në një moment kur marrëdhëniet brenda NATO-s janë tensionuar edhe nga kërcënimet e Trump për të marrë kontrollin e Groenlandës, territor autonom i Danimarkës, një tjetër vend anëtar i aleancës.
Ndërsa në terma absolutë SHBA ka pësuar numrin më të madh të humbjeve në Afganistan, disa vende evropiane, me popullsi shumë më të vogël, kanë pësuar humbje të konsiderueshme në raport me numrin e banorëve. Në total, rreth 3,500 trupa aleate humbën jetën, përfshirë 2,456 amerikanë dhe 457 britanikë. Danimarka, me rreth 5 milionë banorë në fillim të konfliktit, humbi më shumë se 40 ushtarë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, reagoi drejtpërdrejt ndaj komenteve të Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke theksuar se aleatët evropianë kanë mbështetur realisht SHBA-në. “Ata do të ishin aty dhe kanë qenë aty. Kjo u dëshmua në Afganistan,” tha Rutte, duke shtuar se për çdo dy amerikanë që humbën jetën, një ushtar nga një vend tjetër i NATO-s nuk u kthye më në familjen e tij.
Reagime të ashpra erdhën edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, theksoi se më shumë se 450 ushtarakë britanikë humbën jetën në Afganistan, ndërsa politikanë nga të dy krahët e spektrit politik i cilësuan deklaratat e Trump si fyese dhe të pavërteta.
Deklaratat e presidentit amerikan rihapin debatet mbi rolin dhe unitetin e NATO-s, në një kohë sfidash të mëdha për sigurinë ndërkombëtare./L.F-dritare.net