Princi Harry reagon pas komenteve të Trump-it: Sakrificat e trupave të NATO-s në Afganistan meritojnë respekt
Dritare.net

Princi Harry ka reaguar publikisht ndaj komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se sakrificat e bëra nga trupat e NATO-s në Afganistan “duhet të përmenden me të vërtetë dhe me respekt”.
Duka i Sussex-it, i cili ka shërbyer vetë në Afganistan si pjesë e forcave të armatosura britanike, foli për përvojën e tij personale dhe për humbjet e rënda njerëzore gjatë misionit ndërkombëtar.
“Në vitin 2001, NATO aktivizoi për herë të parë dhe të vetme në histori Nenin 5, duke detyruar të gjitha vendet aleate të qëndronin përkrah Shteteve të Bashkuara në Afganistan, në emër të sigurisë së përbashkët,” deklaroi Princi Harry. “Aleatët iu përgjigjën kësaj thirrjeje.”

Ai theksoi se gjatë shërbimit të tij krijoi miqësi të përjetshme, por edhe humbi shokë armësh. Sipas tij, vetëm Mbretëria e Bashkuar humbi 457 pjesëtarë të forcave të saj ushtarake në Afganistan.
“Mijëra jetë u ndryshuan përgjithmonë. Prindër varrosën fëmijët e tyre, fëmijë mbetën pa prindër dhe familjet vazhdojnë të mbajnë barrën e kësaj humbjeje,” u shpreh ai, duke shtuar se këto sakrifica duhet të përkujtohen me dinjitet, në emër të diplomacisë dhe paqes.

Princi Harry shërbeu në ushtrinë britanike për 10 vjet dhe u dërgua dy herë në Afganistan. Ai përfundoi trajnimin ushtarak në vitin 2006 dhe më pas u specializua si kontrollues i sulmeve ajrore për Forcat Ajrore Mbretërore, si dhe si pilot helikopteri Apache.
Në fillim të vitit 2008, ai u dërgua fshehurazi në Afganistan për një periudhë 10-javore, por u tërhoq pas publikimit të informacioneve për vendndodhjen e tij. Në shtator të vitit 2012, ai u rikthye për herë të dytë në mision, si bashkëpilot dhe gjuajtës në një helikopter Apache.
Në librin e tij autobiografik Spare, Princi Harry ka shkruar se gjatë shërbimit në Afganistan vrau 25 luftëtarë talebanë, duke theksuar se ky fakt nuk e mbushi as me krenari dhe as me turp.
Pas largimit nga ushtria, Princi Harry vazhdon të mbështesë organizata bamirëse që ndihmojnë veteranët e luftës./dritare.net


