Na ndiqni edhe në

Opinione

Edhe një herë, mbi qëndrimet e Partisë Demokratike ndaj protestës për Zvërnecin!

Edhe një herë, mbi qëndrimet e Partisë Demokratike ndaj

Nga Edmond Spaho

Çdo ditë e më shumë po bie në sy që protesta në Tiranë po kthehet në shesh beteje midis europianëve dhe Trump, me synimin që këtij të fundit t'i jepet një shuplakë, duke anulluar një investim të madh amerikan dhe të familjes së tij në Europë.

Për këtë qëllim po shfrytëzohet zemërimi i drejtë i qytetarëve shqiptarë ndaj qeverisjes arrogante dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës.

Shpërthimi i menjëhershëm dhe i organizuar në Shqipëri dhe i diasporës tonë në të gjithë qytetet kryesore të Europës e më gjerë, nuk është pa domethënie dhe çon ujë në këtë hulli. E njëjta gjë mund të thuhet që protesta, si kurrë ndonjëherë, është shpesh lajm i parë në të gjithë rrjetet televizive ndërkombëtare.

PD fillimisht u tregua proamerikane ndaj protestës. U rendit pro investimit dhe u distancua nga lëvizja.

Shumë shpejt ndryshoi qëndrim 180⁰ dhe doli në protestë kundër investimit. Me sa duket ndjeu rrezikun që roli i saj në jetën politike të vendit do reduktohej edhe më shumë dhe do mbeste në periferi të zhvillimeve politike.

PD ka një histori të gjatë të përplasjeve me amerikanët.

Përplasja e parë ndodhi në vitet 1994-1996 me katërshen minoritare dhe manipulimin e zgjedhjeve të 26 Majit.

Kokëfortësia e PD për të mos dëgjuar këshillat që synonin ruajtjen e stabilitetit të një rajoni në atë kohë në luftë, solli 1997.

PD ja doli të rikuperohet politikisht dhe të rikthehej në pushtet në harkun e 8 viteve. Pavarësisht problemeve, ajo u tregua një forcë politike e moderuar dhe suksesin më të madh politik pati anëtarësimin e vendit në NATO me përkrahjen e amerikanëve.

Kursi proamerikan i PD vazhdoi deri në vitin 2019.

E paduruar për t'u rikthyer në pushtet, PD në kundërshtim me këshillat e amerikanëve, bën gafën më të madhe politike të saj, duke u larguar nga jeta politike qendrore e vendore dhe djegur mandatet.

Bojkotimi i jetës politike në Shqipëri, i dha shembull aktorëve të tjerë në vendet e Ballkanit të trazuar Perëndimor, sidomos në Serbi e Bosnje, që është e mundur të destabilizohet më tej ky rajon.

Nuk vonoi ndëshkimi. Menjëherë pas rikthimit në institucione dhe humbjes së zgjedhjeve të vitit 2021, u shpall Non Grata e cila pavarësisht veshjes që i kanë dhënë, është sanksion i mirëfilltë politik.

Aktualisht po zhvillohet faza e tretë e marrëdhënieve të trazuara të PD me amerikanët.

Shqipëria pa dashjen e saj dhe me nxitjen e faktorëve të jashtëm nga më të ndryshmit, po kthehet në arenë të përplasjes së amerikanëve dhe familjes Trump me kundërshtarët e tyre të egër në Europë dhe më gjerë.

Rama mund ta humbë këtë betejë, por kushdo që të fitojë, e humbura më e madhe do dalë Shqipëria e cila nuk ka këllqe, sikurse nuk ka pasur gjatë gjithë historisë së saj, të përfshihet në goditjet që superfuqitë i japin njëra-tjetrës. E humbur në këtë rast do jetë edhe PD. Ndoshta përfundimisht.

Prandaj i këshillova kolegët deputetë të PD të rrinë larg protestës që përdor zemërimin legjitim të popullit shqiptar ndaj qeverisë së tij, për interesa të tjera.