Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Blendi Gonxhja: Çdo investim te të rinjtë është investim për të ardhmen!

Blendi Gonxhja: Çdo investim te të rinjtë është


Në cilësinë e një revolucionari jo prej kartoni, që sot mbaj një petk zyrtar por mishëroj tërë padurimin e brezave që luftuan në 1990-ën, në 1991, në 1994, në 1996 e 1997, pastaj edhe në 1998-ën ku personalisht krah Edi Ramës, ministrit të atëhershëm të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e më pas krah tij në Bashkinë e Tiranës së vitit 2000, drejtuam shpëtimin e kryeqytetit nga agonia, rikthyem shpresën dhe nxorrëm në dritë ngjyrat e një jete sociale e rinore plot ZHURMË, deri tek detyrat e angazhimet e vitit 2015 me Parqet dhe Rekreacionin e Tiranës e të vitit 2018 me DPSHTRR për transformimin epokal të shërbimeve të transportit rrugor shqiptar, me frymëzimin e një liceisti rebel, artisti çapraz nga atelieret e ish Institutit të Lartë të Arteve, prapë e prapë me profesor Edin, deri te besimi i tij i rikonfirmuar në secilën prej EJA përpiqu të zgjidhim atë lëmsh apo atë plagë sektoriale, temperuar me eksperienca, mësime e beteja, përulësisht dhe krenarisht, historikisht e kokëfortësisht investitor i një Shqipërie më të denjë këtu e të paktën 37 vjet, qysh në fillesat e ndërgjegjes antirregjim dhe lëvizjes studentore, e deri tek rezultatet konkrete të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit ku punuam për politikat rinore e sot si ministri përgjegjës për Turizmin, Kulturën e Sportin ku rinia nuk është 1 agjenci por esenca e tërë portofoleve dhe përfituesja më e parë e tërë vëmendjes, e projekteve dhe programeve që jetësojmë, kam kënaqësinë të përshëndes e të mikpresim për herë të parë Kartën Rinore Europiane në Shqipëri.

Nga “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, sot vetëm një hap larg hyrjes zyrtare në Bashkimin Europian kryelartë, jo me standardet e disa dekadave para, përmes një procesi jashtëzkaonisht kompleks integrimi të merituar dhe të djersitur në qelizë.

Edhe zëri i protestës që ka koinciduar me këtë event, është treguesi më legjitim dhe unanim i lirisë së panjohur ndonjëherë më parë këtyre anëve si sot, për të shprehur e demonstruar, për të menduar ndryshe, për të kërkuar e pretenduar më shumë, për pritshmëri që natyrshëm ekzistojnë nga e drejta e individit të lirë të flasë e bërtasë. Më dridhet mishi kur rikthej në mendje torturat dhe vuajtjet tona deri vonë, jo larg.
Situata aktuale është medalje demokracie për qeverisjen e sotme, sikundër është një mundësi e re për të ritreguar vlerat tona dhe besnikërinë tonë për Shqipërinë.

Që Shqipëria pret për herë të parë Konferencën e Kartës Rinore Europiane përbën një moment të rëndësishëm për vendin tonë dhe një vlerësim të rolit në rritje që Shqipëria po luan në nismat europiane të dedikuara për të rinjtë. Prania e mbi 100 pjesëmarrësve nga më shumë se 30 vende europiane e shndërron këtë konferencë në një platformë të rëndësishme dialogu, bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash mbi politikat dhe mundësitë për të rinjtë në Europë. Organizimi i kësaj konference në Shqipëri është një dëshmi e besimit që partnerët europianë kanë ndaj institucioneve dhe organizatave shqiptare, si dhe një mundësi për të forcuar më tej lidhjet me rrjetet rinore europiane.

Shqipëria po afirmohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i rëndësishëm për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare, duke tërhequr vëmendjen e partnerëve përmes potencialit të saj, mikpritjes dhe kapaciteteve në rritje. Vendi ynë dëshmon se mund të presë me sukses aktivitete të nivelit të lartë, duke krijuar hapësira për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash mes pjesëmarrësve nga vende të ndryshme. Për ne, organizimi i ngjarjeve, përtej dimensionit institucional, është një mundësi për të prezantuar Shqipërinë si një vend modern, të hapur dhe europian në shpirt e në veprim, si dhe për të promovuar vlerat tona të mikpritjes dhe kulturës.

Rinia është një nga asetet më të çmuara të shoqërisë, të Europës në rastin tonë, dhe një faktor kyç për emancipimin dhe përparimin e saj. Përkushtimi tek të rinjtë nuk është vetëm një përgjegjësi sociale, por një domosdoshmëri strategjike për ndërtimin e shoqërive më të forta, më gjithëpërfshirëse dhe më inovative. Të rinjtë sjellin ide të reja, energji, kreativitet dhe një perspektivë të domosdoshme për përballimin e sfidave që vendi ynë dhe Europa has sot dhe që do të përballet në të ardhmen. Fuqizimi i të rinjve do të thotë t'u japim atyre mjetet dhe hapësirat për të kontribuar në jetën publike, për të ndikuar në vendimmarrje dhe për të qenë pjesë aktive e proceseve që formësojnë të ardhmen, si legjitimitet dhe si trashëgimi.

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e konsideron Kartën Rinore Europiane një instrument të rëndësishëm për fuqizimin e të rinjve dhe zgjerimin e mundësive që ata duhet të kenë në jetën e tyre arsimore, kulturore, sociale dhe profesionale. Përmes saj, të rinjtë përfitojnë akses më të gjerë në shërbime, aktivitete dhe eksperienca që kontribuojnë në zhvillimin e tyre personal dhe në pjesëmarrjen aktive në shoqëri. Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes institucionale, Karta Rinore Europiane ka njohur një rritje të dukshme si në numrin e anëtarësimeve, ashtu edhe në përfshirjen e bizneseve të reja partnere. Kjo tregon jo vetëm besimin në këtë instrument, por edhe vlerën konkrete që sjell për të rinjtë dhe për rëndësinë që ka për ekosistemin ku ata jetojnë, studiojnë dhe punojnë.

Karta Rinore Europiane promovon mobilitetin, përfshirjen dhe qytetarinë aktive, duke u mundësuar të rinjve të krijojnë lidhje përtej kufijve, të njohin kultura të ndryshme dhe të përfitojnë nga mundësitë që ofron hapësira europiane. Akoma më e madhe është nevoja e njohjes dhe e afrimitetit në Ballkan, ku e shkuara, kufijtë mendorë, e vjetra, pengojnë dhe largojnë të rinjtë edhe pse në dukje një pellg i vogël në dimensione gjeografike por i tejfryrë nga komplekset dhe paragjykimet.

Në një kohë kur bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave janë më të rëndësishme se kurrë, iniciativa të tilla luajnë një rol të rëndësishëm në afirmimin të rinjve dhe në ndërtimin pa vonesa të një identiteti europian të bazuar në vlera të përbashkëta.

Ne besojmë se çdo nismë që zgjeron horizontet e të rinjve dhe i afron ata me mundësi të reja është një investim strategjik dhe i drejtpërdrejtë në të ardhmen.