Afera ‘Partizani’/ GJKKO pranon kërkesën e Berishës për thirrjen e Ramës si dëshmitar!
Dritare.net

GJKKO ka pranuar kërkesën e mbrojtjes së Sali Berisha për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama, në cilësinë e tij të mëparshme si ish-kryetar i Bashkisë së Tiranë. Sipas mbrojtjes, Rama ka pasur rol në ndryshimet ligjore për truallin e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Nga ana tjetër, prokurorja e SPAK, Enkelejda Millonai, ka kërkuar thirrjen e 11 dëshmitarëve, përfshirë Taulant Ballën nën cilësinë e kallëzuesit, si dhe ish-drejtues të klubit “Partizani” dhe persona të tjerë të lidhur me çështjen.
Gjykata ka refuzuar kërkesën për thirrjen e një oficeri të OPGJ-së, ndërsa ka pranuar shqyrtimin e provave të paraqitura si nga SPAK, ashtu edhe nga mbrojtja. Seanca e radhës është caktuar më 30 prill.
Dosja është dërguar për gjykim më 19 maj dhe lidhet me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas SPAK, Jamarbër Malltezi dyshohet se ka përfituar rreth 5.4 milionë euro nga një projekt ndërtimi i lidhur me vendime qeveritare.
Në këtë proces janë të përfshirë gjithashtu edhe persona të tjerë si Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, si dhe disa kompani ndërtimi, të cilat akuzohen për pastrim parash.
Çështja vijon në gjykim dhe priten zhvillime të mëtejshme në seancat e ardhshme./L.F-dritare.net