Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gazetari amerikan e kërkoi në emisionin Shqip, SPAK kërkon dëshminë e Luan Hoxhës për Gërdecin!

Gazetari amerikan e kërkoi në emisionin Shqip, SPAK kërkon

Dorëzimi i listës me 71 dëshmitarë të cilët SPAK kërkon t'i pyesë në gjyqin për tragjedinë e Gërdecit, përfshirë edhe Shkëlzen Berishën, ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen tek ky proces. Dy prokurorët e SPAK që përfaqësojnë akuzën, kanë renditur ish-shefin e Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha në vendin e 54 në listë.

Mesa duket ata mendojnë se dëshmia e tij është e vlefshme në një kohë që ish-drejtuesi i Forcave të Armatosura është larguar nga Shqipëria përmes pikëkalimit kufitar të Rinasit më 4 janar 2012. Largimi i tij ndodhi në kohën kur dosja “Gerdeci” po shqyrtohej në gjykatën e apelit, ku Luan Hoxha u gjykua në mungesë madje, trupi gjykues që i caktoi një mbrojtës kryesisht.

Në prag të largimit mesa duket të mirëmenduar, Luan Hoxha kishte kërkuar ndërprerjen e mardhënieve të punës me një universitet privat ku jepte mësim në Tiranë. Gazetari investigativ Guy Lavvson tha në emisionin “Shqip” në Dritare TV se Luan Hoxha ndodhet në SHBA bashkë me familjen. Raportime jo zyrtare tregojnë se ai ka marrë azil politik atje në vitin 2013.

Në një kabllogram që Ambasada amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit të Shtetit, në 20 qershor 2009, shkruhet se Luan Hoxha ishte ankuar se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dorëzonte municion të kalibrit të lartë në Gërdec dhe pa vonesa. Kabllogrami i publikuar nga VVikileaks, pretendon se i pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Luan Hoxha ishte përgjigjyr me PO”.

Në shtator 2011, Luan Hoxha konfirmoi se kishte raportuar tek ambasadori amerikan, por mohoi që të kishte folur për Shkëlzenin. Në mars 2019, Shkëlzen Berisha, ka përdorur mohimin e Luan Hoxhës për tu mbrojtur nga akuza teksa ka theksuar “vetë Luan Hoxha, në një deklaratë publike thotë se gjatë takimit me Uithers, nuk është përmendur emri i Shkëlzen Berishës”. Luan Hoxha u kërkua dëshmitar edhe në kallëzimin e Zamira Durdës, në vitin 2022, SPAK është shprehur se nuk e ka gjetur adresen e tij pasi ai ndodhet jashtë shtetit.

Por përfshirja e tij në një listë të re, të paraqitur së fundi në gjykatë, i hap rrugë mundësisë që Shqipëria të kërkojë pyetjen e Hoxhës atje ku është, me anë të lëtërporosive. Kjo procedurë i mundëson gjykatës dhe palëve në proces, të rendisin pyetjet të cilat dërgohen në SHBA dhe më pas, Luan Hoxha pyetet në një gjykatë amerikane. Përgjigjet e tij kthehen në rrugë gjyqësore në Shqipëri dhe përdoren në cilësinë e provës në procesin “Gërdeci”.

Aty pritet të dëshmojë edhe Shkëlzen Berisha, i renditur me numrin 52 në listën e dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK. Djali i ish kryeministrit përmendet në një faks të dërguar nga Aldo Bumçi për Fatmir Mediun në vitin 2007. Po ashtu, Shkëlzen Berisha ka kryer telefonata me ministrin e mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu, menjëherë pas shpërthimit të Gërdecit.

Një tjetër dëshmitar që SPAK kërkon të pyesë në gjyqin e Gërdecit, është Kol Dedgjoni, ish-anëtar i komisionit të ngritur nga Ministria e Mbrojtjes për çështjen e demontimit. I pyetur edhe në procesin e pare ndaj 29 të pandehurve të Gërdecit, ai është shprehur para gjykatës në datën 22 prill 2011, se kishte qenë kundër demontimit në ish-repartin e tankeve në Gërdec që u kthye në fabrikë demontimi. Sipas tij, demontimi mund të bëhej në uzinat e ushtrisë në Gramsh ose Poliçan ku ishin mjetet dhe kushtet e duhura të sigurisë.